
Asan Asani
Të shkruash në mediat sociale është një formë komunikimi që pasqyron kulturën gjuhësore të një shoqërie. Megjithatë, në hapësirën shqiptare të internetit, vërehet një fenomen shqetësues: një pjesë e madhe e përdoruesve, pavarësisht se janë të rritur, shkruajnë në një mënyrë që shpesh i ngjan analfabetizmit.
Në vendin tonë, shkelësit e normave gjuhësore nuk përballen me asnjë ndëshkim. Komisionerët e gjuhës shqipe nuk kanë shqiptuar asnjë gjobë vitet e fundit, edhe pse hapësira e shkrimeve digjitale është zgjeruar ndjeshëm. Mungesa e ndërhyrjes institucionale e ka përkeqësuar situatën, duke krijuar një kaos gjuhësor që shpeshherë shkon përtej gabimeve drejtshkrimore – duke nxitur urrejtje dhe përçarje, madje edhe tek brezat më të rinj.
Ky shkrim nuk ka për qëllim të diskutojë teknologjinë dhe zhvillimin e digjitalizimit, por të ngrejë një shqetësim: Si shkruajnë shqiptarët në mediat sociale? Përjashtuar intelektualët dhe ata që kanë formim të mirë gjuhësor, një pjesë e madhe e përdoruesve bëjnë gabime katastrofike në drejtshkrim dhe gramatikë. Përdorin barbarizma, fjalë të pista dhe fyerje të ndryshme, të cilat nuk i duron as gjuha, as shoqëria.
Në shumë komente mungojnë plotësisht rregullat bazë të drejtshkrimit: shumica fillojnë me shkronjë të vogël, nuk përdorin shenjat e pikësimit dhe nuk korrigjojnë asnjë gabim. Për më tepër, deformimi i gjuhës është bërë normë: shkronjat zëvendësohen në mënyrë të çrregullt (p.sh. “ç” me “q”, “xh” me “gj”), ndërsa zanorja “ë” shpeshherë zhduket krejtësisht.
Të shkruash dhe të flasësh një gjuhë është një tregues i kulturës, por kjo nuk mund të ndodhë duke e deformuar atë. Sidomos në mediat sociale, ku komunikimi publik ndikon drejtpërdrejt tek brezat e rinj, është e domosdoshme të respektohen normat e gjuhës shqipe. Institucionet përgjegjëse duhet të marrin masa konkrete për të mbrojtur pastërtinë e gjuhës, përndryshe, rrezikojmë të humbasim një nga shtyllat kryesore të identitetit tonë kombëtar.