Aktuale

Skandal në Strugë: Pishina e vetme mbyllet për katër muaj – “Sepse filloi sezoni veror”!

Strugë, 21 qershor 2025 – Vendimi i befasishëm për mbylljen e pishinës së vetme të mbyllur në Strugë për një periudhë prej katër muajsh, nga sot deri më 11 tetor, ka shkaktuar zemërim dhe tronditje te klubet sportive të notit nga Struga dhe Ohri. Arsyeja zyrtare? “Sepse ka filluar sezoni veror”.

Bëhet fjalë për objektin sportiv “ESM MOLIKA SPORT Struga”, që gjatë gjithë vitit është i vetmi destinacion stërvitor për notarët e rinj dhe sportistët e disiplinave ujore në këtë rajon. Vendimi vjen pikërisht dy javë para kampionatit shtetëror të notit, që do të mbahet më 12 korrik në Shkup – për të cilin fëmijët dhe të rinjtë janë përgatitur një vit të tërë.

Klube të indinjuara: Vendim qesharak që shkatërron punën tonë njëvjeçare

Nga Klubi i Notit “3 Disiplina” thonë se ky veprim është në kundërshtim me funksionin publik të objektit dhe se ai i përjashton padrejtësisht të gjithë sportistët nga programi stërvitor. “Jeni duke shkatërruar punën e një viti për fëmijët e klubeve në Ohër dhe Strugë. E gjithë kjo, për shkak të kampit Livadishta? Le të vazhdojë ai punën, por ne kërkojmë vetëm hapësirë në orët e paradites – nga ora 09:00 deri në 12:00. A është vërtet kaq e pamundur?”.

Ata shtojnë se edhe vitin e kaluar pishina u lejua të përdorej vetëm nga nëntori – një tjetër vendim që bie ndesh me qëllimin për të cilin objekti ekziston.

Revoltë edhe nga Ohri

Klubet e notit nga Ohri i bashkohen thirrjes për rishqyrtim urgjent të vendimit, duke e cilësuar mbylljen kaq të gjatë si joprofesionale dhe në dëm të rinisë sportive. “Vetëm në Maqedoni ndodhin të tilla absurditete. Pasi e mbyllim sportin për muaj të tërë, pastaj ankoheni pse të rinjtë nuk merren me sport”, thuhet në reagimet e tyre.

Turizmi nuk duhet të ndëshkojë sportin

Rajoni i Ohrit dhe Strugës është qendër turistike, por kjo nuk duhet të ndodhë në dëm të sportit. Kujtojmë se Ohri ende nuk ka pishinë të mbyllur funksionale, ndërsa ndërtimi i saj ka mbi 15 vite që nuk përfundon. Tani, edhe ajo e Strugës mbyllet, duke e lënë gjithë rajonin pa asnjë objekt funksional për sportet ujore në muajt më të rëndësishëm për garat kombëtare.

Klubet i bëjnë thirrje menaxhmentit dhe institucioneve përkatëse që të rishqyrtojnë urgjentisht këtë vendim dhe të lejojnë të paktën stërvitjen e përditshme në orare të kufizuara, në mënyrë që të mos dëmtohet gjenerata e re e sportistëve.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button