Skenarët e MASH, nga 1 shtatori mësimi në ndërrime dhe reduktimi i numrit të nxënësve

Mësimi në distancë, riorganizimi i mësimdhënies duke e zvogëluar numrin e nxënësve në shkollë, por edhe normalizimi i plotë i mësimdhënies janë skenarët për të cilat Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) po përgatitet për fillimin e vitit shkollor më 1 shtator. Kopshtet e fëmijëve, shkollat ​​dhe fakultetet janë mbyllur që nga 10 marsi, si masë parandaluese për të ndërprerë përhapjen e koronavirusit, ndërsa nxënësit kanë vazhduar vitin shkollor përmes onlajn mësimit deri më 10 qershor.

Ditët e fundit, ministria ka lëshuar një draft version të Konceptit për arsim në distancë që ka provokuar reagime të forta në opinionin publik, veçanërisht në mesin e prindërve të nxënësve, të cilët thonë se është tepër vonë që ministria nuk po harton strategji për muajin shtator dhe se ka reagime të ndara për efikasitetin e onlajn mësimit.

Nga Kabineti i ministrit Arbër Ademi, për SDK, thonë që prej tani, përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse për krijimin e zgjidhjeve ata po përgatiten të veprojnë në çdo skenar eventual, përfshirë mësimin në distancë nëse situata e kërkon atë.

“Skenar tjetër dhe më i dëshiruari është normalizimi i plotë i procesit arsimor, përkatësisht zbatimi i procesit arsimor sikur para fillimit të pandemisë, ose riorganizim të këtij procesi duke e zvogëluar numrin e nxënësve në klasë, me mësim në ndërrime në ndërrime në shkolla dhe ngjashëm”, thonë nga MASH.

Prandaj, ata besojnë se mësimi në klasë është i pazëvendësueshëm dhe asnjë mënyrë tjetër e realizimit të procesit arsimor nuk është aq efikase si procesi në të cilin mësuesit dhe nxënësit janë fizikisht të pranishëm në një dhomë, komunikojnë drejtpërdrejt e zhvillojnë dhe përvetësojnë materialin mësimor.

“Sidoqoftë, mësimi në distancë ishte e vetmja mundësi që nuk kishte asnjë alternative, për të vazhduar dhe mbaruar vitin shkollor, përkatësisht për të mos e anuluar dhe përsëritur nga shtatori. Të gjitha shkollat ​​organizuan mësim në distancë dhe natyrisht, gjatë krijimit të Koncepti për zhvillimin e sistemit të mësimit në distancë, janë marrë parasysh përvojat e mëparshme të vetë shkollave, mësuesve, nxënësve, prindërve”, kanë shtuar ata.

Lidhur me Konceptin që u publikua, Ministria tha që vendi dhe institucionet e sistemit në vend duhet të kenë përgatitur një Koncept për zhvillimin e një sistemi mësimi në distancë, i cili do të ishte i zbatueshëm jo vetëm në situata krize siç është kjo aktualja e shkaktuar nga shpërthimi dhe përhapja e virusit Kovid-19, por edhe në çdo rast tjetër kur për një, më shumë ose të gjithë nxënësit do të jetë e nevojshme të organizohet mësim në distancë nëse ata nuk mund ta ndjekin shkollën, për ndonjë arsye.

“Prandaj, përgatitja e këtij dokumenti nuk do të thotë që viti i ri shkollor do të fillojë dhe do të realizohet ekskluzivisht përmes mësimit në distancë. Por, edhe tani, përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse për krijimin e zgjidhjeve, po përgatitemi të veprojmë në çdo skenar eventual, përfshirë mësimin në distancë nëse situata e kërkon atë”, u përgjigj nga MASH.

Kur u pyetën se si do të funksionojnë fakultetet, Ministria tha se mënyra se si do të realizohet procesi arsimor i institucioneve të arsimit të lartë varet edhe nga situata në fillim të vitit akademik, që për momentin nuk mund të parashikohet.

“Sidoqoftë, në koordinim me institucionet e arsimit të lartë, institucionet shëndetësore, autoritetet dhe organet, si dhe publikun ekspert, së bashku do të përcaktojmë rrugën për realizimin e qetë të arsimit akademik të qytetarëve”, thonë nga MASH.

In : Aktuale

Loading...
loading...