Sot festohet në Maqedoni “Dita e Alfabetit Shqip”

Sot shënohet 22 Nëntori, Dita e Alfabetit Shqip, që u unifikua 110 vjet më parë në Kongresin e Manastirit. Kjo festë është tradicionale dhe shtetërore për shqiptarët në Maqedoni.
Kongresi i Manastirit u zhvillua nga 14-22 nëntor të vitit 1908.Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe. Në Manastir, në atë kohë, kanë marrë pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, pasi qyteti ka qenë qendër e konsujve dhe ishte më i sigurtë për mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm kombëtar.

Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi, ishte gruaja e vetme në këtë Kongres. Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune më 28 Nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.
Për shqiptarët e Maqedonisë kjo ditë është ditë feste dhe nuk punohet, ndërsa në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë dixhitale dhe në letër. (INA)StrugaLajm

In : Aktuale