Sot liderët e katër partive më të mëdha sërish në tryezë të përbashkët

Liderët e katër partive më të mëdha,  LSDM-së dhe BDI-së qeveritare dhe partive opozitare, VMRO-DPMNE-së dhe të njërit krah të Lëvizjes BESA sot sërish do të ulen në tryezë dhe do të përpiqen t’i largojnë dallimet dhe të arrijnë marrëveshje politike lidhur me referendumin vijues, datën, pyetjen e referendumit, karakterin e tij, zgjedhjen e KSHZ-së…

Bisedimet janë caktuar për në orën nëntë të mëngjesit në Klubin e deputetëve.

Ky është takimi i tretë i liderëve, i pari u mbajt të mërkurën e kaluar me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike, të cilat në Kuvend kanë më shumë se një deputet, të cilin e kundërshtoi lideri i VMRO-DPMNE-së Hristian Mickoski, i cili e braktisi pas rreth një orë nga fillimi i tij dhe kërkoi përbërje më të ngushtë të takimit.

Ditën e ardhshme, të enjten e kaluar u mbajt takimi i dytë i liderëve, në format të shkurtuar. Pas takimit të enjten në Klubin e deputetëve liderët e LSDM-së, BDI-së, VMRO-DPMNE-së dhe njërit krah nga BESA, Zoran Zaev, Ali Ahmeti, Hristijan Mickoski dhe Bilall Kasami deklaruan se për disa nga çështjet për të cilat po bisedojnë ekzistojnë mundësi për përafrim të qëndrimeve, ndërsa për disa janë larg marrëveshjes.

Pushteti kërkon nga opozita mbështetje për referendumin vijues, opozita kërkon miratim të Ligjit për financim të partive politike, ndryshime në Ligjin për Qeverinë, sipas modelit të Përzhinës dhe ndryshime në Kodin Penal që lidhen me amnistinë.

Në takimin e liderëve në format të shkurtuar të enjten, siç deklaruan disa nga pjesëmarrësit, në tryezë aspak nuk ka qenë i vendosur formulimi i pyetjes së referendumit. Pjesëmarrësit pas katër orëve nuk kanë arritur ta hapin këtë çështje.

Kryeministri dhe lider i LSDM-së Zaev pas bisedimeve të para të mërkurën në mbrëmje e kumtoi pyetjen e mundshme – A jeni për në BE dhe NATO me pranimin e marrëveshjes midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë.

Zaev atëherë njoftoi edhe se referendumi vijues është e nevojshme të jetë konsultativ.

Lidhur me karakterin e referendumit shpjegoi se është biseduar edhe për nenin 27 nga Ligji për referendum, sipas të cilit në kushte kur Kuvendi duhet sapo të miratojë ndonjë vendim jashtëzakonisht të rëndësishëm për ardhmërinë, nevojitet që prononcimi i qytetarëve të jetë konsultativ.

Vendimi, shtoi Zaev, konsiderohet për përfundimtar, në qoftë se në referendum dalin të paktën 50 për qind nga numri i përgjithshëm i zgjedhësve të regjistruar në Listën zgjedhore.

Formimi i KSHZ-së, pa çka nuk është e mundur të mbahet referendumi është një nga çështjet më madhore, pa marrë parasysh atë që VMRO-DPMNE kërkon miratim të Ligjit për financim të partive politike dhe ndryshime të Ligjit për Qeverinë, sipas modelit të Përzhinës para çdo zgjedhjeve, si kusht për formimin e KSHZ-së.

Sipas ligjit aktual, KSHZ zgjidhet me shumicë prej dy të tretash në Kuvend, ndërsa sipas asaj që është dakorduar midis pushtetit dhe opozitës kryetari i Komisioni do të ishte nga partia opozitare. Vendimin për shpalljen e referendumit e sjellë Kuvendi dhe pasi ta sjellë ai duhet të mbahet jo më herët se 60 ditë, e as më vonë se 90 ditë nga shpallja.

Në rend dite të seancës së sotme të Kuvendit, si pikë e 12-të janë vendosur ndryshimet e Kodit Zgjedhor, të cilët javën e kaluar i kaluan debatet në komisione. Me ndryshimet parashikohet që zgjedhja e anëtarëve të rinj të KSHZ-së, në vend që me shumicë prej dy të tretash, të realizohet me 61 deputetë.

Mickoski theksoi se është biseduar për tema të cilat tanimë i janë të njohura opinionit, ndërsa janë pjesë e negociatave nga marsi-prilli.

“E shfrytëzoj këtë rast të them një përshtypje time e cila nuk mbështetet në ndjenja, por në angazhime të VMRO-DPMNE-së, ndërsa ato janë vlerta dhe parimet e vërteta evropiane, e jo vetëm angazhime deklarative. Në qoftë se me të vërtetë synojmë drejt vlerave dhe parimeve evropiane kështu duhet edhe të sillemi dhe të njëjtat angazhime t’i zbatojmë në vepër. Kjo nënkupton respektim të ligjeve dhe Kushtetutës dhe të parandalojmë çfarëdo lloj tentimet që të luhet me vullnetin e qytetarëve gjegjësisht të parashtrohen çështje të shumë-kuptimta për tema kruciale për të cilat ne si qytetarë jemi të shqetësuar për ardhmërinë e këtij shteti”, theksoi atëherë Mickoski.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, i cili në takimin e liderëve e shoqëron Ahmetin, dje në intervistë për gazetën greke “Etnos” deklaroi se kundërshtimi i opozitës për Marrëveshjen për emrin me Greqinë, e cila, siç thotë është marrëveshje për gjeneratat e ardhshme, e jo zgjedhjeve të ardhshme, do ta komplikojë gjendjen politike në vend.

Por, ende shpreson se VMRO-DPMNE do ta kuptojë se vendi nuk ka të ardhme pa BE dhe NATO dhe se ashtu do të sillet.

Megjithatë, ai është i bindur se edhe pa mbështetjen e opozitës procesi mund të jetë i suksesshëm, para së gjithash, siç thotë, për shkak të besimit në zgjedhjen dhe vlerësimin e popullit.

“Opozita ende e mban peng këtë proces, e me atë edhe të ardhmen e shtetit. Do të donim që këtë betejë ta zhvillojmë së bashku me opozitën, por, nëse nevojitet, do ta bëjmë atë edhe pa ta dhe do të kemi sukses. Besoj se me mbështetjen e madhe të qytetarëve do të arrijmë ta bëjmë atë në kohën e paraparë”, thotë Osmani në intervistën për gazetën greke Etnos.

Referendumi është formë e demokracisë së drejtpërdrejt dhe pjesëmarrje e qytetarëve në miratimin e vendimeve politike, ndërsa që të jetë i suksesshëm nevojitet të përmbushet konsensusi ligjor, gjegjësisht në të të dalin të paktën 50 për qind e zgjedhësve.

Në Listën zgjedhore megjithatë për momentin ka rreth 1,8 milionë votues. Që të përmbushet censusi duhet të dalin të paktën  gjysma e tyre, ndërsa vendimi do të miratohet nëse e mbështesin shumica e votuesve të dalë.

In : Aktuale

Loading...
loading...