Sot seancë e përbashkët e qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës

Në kuadër të shënimit të 28 nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit, qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës të hënën do të mbajnë seancë të përbashkët.
Mbledhja e përbashkët do të mbahet në Korçë me fillim në orën 16:00 dhe në orën 17:15 do të mbahet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërqeveritare, e cila do të pasohet nga një konferencë e përbashkët e dy kryeministrave, Rama dhe Haradinaj.
Të dy delegacionet do të zhvendosen në ditën e pavarësisë, në qytetin e Vlorës, ku në mesditë do të organizohet ceremonia e ngritjes së Flamurit në sheshin e “Pavarësia”.
Pas ceremonisë, do të shpallet zyrtarisht edhe logoja e vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Pas axhendës së ditës, dy delegacionet do të nisen për në Tiranë, ku do të marrin pjesë në pritjen që organizohet nga Presidenti i Republikës, me rastin e festës kombëtare.
Edhe qeveria e Kosovës ka shpallur ditën e 28 nëntorit, si festë kombëtare dhe ditën e shqiptarëve.