Spitali digjet, MTV “pret shiun”!

Në redaksitë e servisit publik nuk ka kujdestari për ngjarje “vis major”, e as guxojnë t’ia prishin dikujt natën për ta çuar në ngjarje tragjike? E as gazetarë që vullnetarisht do të paraqiteshin për të shkuar në Tetovë… si shumë kolegë të televizioneve private

Nga Daut DAUTI

“TË PUNËSUARIT ME ORAR” TË MTV-së
Më lind nënë me kësmet, që të punoj punë shteti…Edhe në këngët që kishin lindur në kohën e socializmit kishte shumë urime kur u këndohej fëmijëve, me një dëshirë: të na rriten e të na bëhen “shluzhbenikë”. Jo kot. Të bëheshe punëtor në administratë ose në ndërmarrje shtetërore, nuk kishte më mirë. Punë e sigurt, paga të mira… Tash kur na është kthyer kapitalizmi në mënyrën më të vrazhdë të mbijetesës së biznis-kompanive, kjo “uratë” nuk e ka humbur kuptimin. Të punosh në një firmë private dhe të punosh në punë shteti, nuk është njësoj. Disa beneficione dhe orari dhe statusi i sigurt, është gjëja që shumëkush e parapëlqen, madje edhe me pagë më të vogël, se sa te një privatisht, ku duhet të durosh një regjim krejtësisht jo rrallë edhe makiavelist, pa orar të definuar, me status të pasigurt…

Kjo hyrje kaq e gjatë, megjithatë, ka të bëjë me një kategori tjetër të punësuarish. “Më lind nënë me kismet, e të punoj në MTV!”

Pse jo? Servisi publik i cili një periudhë të kaluar pat hequr të zitë e ullirit ku pagat ishin të ulëta dhe paguheshin me vonesë disa mujore, sepse varej nga parapagimi i qytetarëve(të cilët gjithnjë e më pak e paguanin parapagimin mujor), tash ka situatë më të relaksuar. MRTV-ja ka hyrë në buxhet dhe nuk ka më vonesa, nuk ka më rroga të ulëta si dikur. Dhe çka është më me rëndësi, si duket, punohet si në çdo punë tjetër “shtetërore”, me orar strikt! Kështu të paktën duket. Dhe çka është më me rëndësi, atje më tepër ka të punësuar, e më pak gazetarë.

Kjo çështje e kategorizimit më ka mbetur si një këndvështrim imi personal nga përvoja disa dekadëshe profesionale. Edhe në gazetari ka shumë “të punësuar”, dhe ka edhe gazetarë. I punësuar nuk është vetëm dikush që ka detyra jogazetareske, si psh. lektor, përkthyes, kurir, sekretareshë, daktilografe, por dhe një numër jo i vogël i gazetarëve. Si “të punësuar” i konsideroja edhe ata që janë bërë gazetarë vetëm sa për të gjetur punë, por, të cilët, edhe pas shumë vitesh, nuk arrijnë të bëhen gazetarë të vërtetë. Gazetar është ai që i është përkushtuar profesionit, që çohet e fle i preokupuar me gjetjen ose trajtimin e temave, që hulumton, që ka motiv për të bërë diçka, që kur shkruan mendon se do të arrijë ndonjë qëllim, që ka një shpirt nga pak edhe luftarak, që ndjen një farë misioni mbi supet e tij…Gazetari “i punësuar” në anën tjetër, nuk ka motiv, nëse i jepet detyrë do ta kryejë, shpesh me përtesë, gjithnjë shikon orën t’i bëhet orari e të shkojë në shtëpi, qoftë edhe duke e lënë punën e sotme për nesër. Gazetari i mirëfilltë e di se ndonjë ditë edhe do të punojë përtej orarit, ndonjëherë mund të rrijë dy ndërrime, sepse e para gjë që të mësojnë në një redaksi të vërtetë është se puna e gazetarit nuk ka orar!

Këtë teori timen në mënyrë më ilustrative e dëshmuan dy redaksitë e MTV-së (TVM-së), mbrëmjen e kobshme të tragjedisë në spitalin modular të Tetovës. Përderisa shumica e televizioneve private me koncesion nacional ndërprenë emisionet e tyre të rregullta për të informuar nga vendi i ngjarjes, gjersa digjej shkrum e hi spitali me pacientët me kovid 19, MTV1-shi “priste shiun”(emitonte filmin e Millço Mançevskit “Para shiut”, si një përmbajtje “e përshtatshme për ditën e pavarësisë), kurse MTV2-shi jepte emision për shëndetësi, të përsëritur kushedi sa herë. Kah të mos punosh në redaksi të tilla, gazetarët e kanë kryer orarin e punës dhe kanë shkuar në shtëpi dhe s’çajnë kokën më për asgjë. Redaktorët e tyre bashkë me ta! Të punësuar me orar…

Dhe u mundova të gjej një arsye profesionale kjo heshtje mortore për një mort të paparë! Por nuk më vërtetohej teoria se si mund të dështojë një servis publik në një ngjarje që e ka tronditur jo vetëm vendin tonë, por dhe më gjerë. MRTV-ja mbahet me para të buxhetit, dhe është servis publik para së gjithash që edhe nëse radiotelevizionet private shikojnë interesa të tjera, ai, në borë e në shi, duhet të mbrojë interesin e qytetarëve. Interes më të madh shoqëror se të informosh për tragjedinë e të mërkurës mbrëma, nuk ka.StrugaLajmStrugaLajm

Dikush me ironi do të kishte thënë: po çka se nuk kanë informuar këto dy redaksi, edhe ashtu nuk është ndjerë mungesa e tyre, sepse nuk kanë ndonjë ndikim!(Ironike që partitë politike shpesh bëjnë beteja për t’i kontrolluar pikërisht këto redaksi “pa ndikim”!). Por, do të duhej gjithsesi t’u përkujtojmë se statusi i të punësuarve dhe gazetarëve ne këto redaksi, paguhen me paratë tona. Por, për fat të keq, nuk kanë thënë kot, ra ky mort e u pamë… U pa(më) se të qenit i punësuar në këtë servis është vërtet një privilegj i madh me plot beneficione… Sigurisht gjëja e parë që çalon, është organizimi i brendshëm i punës nëpër redaksi, që ka prodhuar këtë situatë për të cilën tash udhëheqësit e servisit publik i mëshojnë kokës me vonesë. Mund të supozohet se në këto redaksi kanë harruar të mbajnë ekipe kujdestare me gazetarë e kameramanë, për ndonjë ngjarje “mozomakeq”. Por si duket një lloj “kujdestarie” e tillë sikur nuk është paraparë, për të mos ua prishur ditën të punësuarve të vet! Paramendoni një HRT-je ose RTS-je t’i ndodhte një tragjedi e këtillë dhe ato të mbeteshin gjithë natën pa informacion dhe pa gazetarë e kameramanë nga vendi i ngjarjes!

Me një fantazi të prishur mund të sajojmë situatën se si redaktorët e kanë parë ngjarjen në TV-të tjera, dhe janë munduar të reagojnë, por sigurisht mund të kenë rënë në hall. I lajmërohen njërit gazetar, ai thotë, unë jam i zënë, shih filanin. E thërret filanin, ai thotë jam i lodhur shih ndonjë tjetër…Hatri i madh, kujt t’ia prishësh natën në orët e vona! Po gazetarët vetë kur i kanë parë kolegët e redaksive të tjera në vendngjarje, vallë a s’iu ka luajt pak damari prej gazetari dhe të paraqiten në redaksi vullnetarë? Apo ka pak gazetarë, dhe më shumë të punësuar… Një dështim i pafalshëm profesional në të gjitha nivelet…

2. URIMET E PËRVJETORIT TË PAVARËSISË NË FRYMËN “MAQEDONIA E MAQEDONASVE”?
Dikush mund të thotë, aman më ju shqiptarët, kërkoni qime në ve! Doni të bëhen ortakë me ne në atë që duhet të jetë e jona…StrugaLajm

Nuk e di, këtë nuk do ta thotë askush me zë. Edhe po ta lexojnë e përkthejnë dhjetëra herë, mund të vë bast se askush nuk do të reagojë e të dale, gabim e ke! Heshtazi do ta gëlltisin kritikën, sepse përkundër të gjitha argumenteve, nuk i kanë bërë ballë tundimit ta shprehin atë që ndoshta u fle në zemër, e kjo, se me gjithë deklarimet, kushtetutën, ligjet që zbatojnë barazinë, atyre ju parapëlqen motoja historike e para 118 vjetëve të kryengritjes së Ilindenit, “Maqedonia e maqedonasve”.

Kryetari i shtetit shkroi urimin për 30 vjetorin e pavarësisë, në gjuhën maqedonase.

Qeveria vetëm maqedonisht. Edhe vetë kryeministri poashtu.

Sekretariati për Eurointegrime, maqedonisht dhe anglisht.

Banka Popullore vetëm maqedonisht të mos flasim bankat tjera komerciale. Arka e Bankës Popullore mbushet me paratë e gjithë qytetarëve, sikundër që edhe bankat komerciale kanë klientë gjithë pjesëtarët etnikë. (Disa në bankomate përdorin më shumë gjuhë, duke përfshirë edhe shqip, e disa vetëm maqedonisht dhe anglisht)

Mund të thonë edhe mos bën ish ku s’ka pula, por një përvjetor si 30-vjetori i pavarësisë, nuk mund të mos jetë shkas për t’ua përkujtuar përfaqësuesve të organeve shtetërore dhe të tjera se atë që bënë nuk ishte në rregull. Sepse nuk vjen edhe një 30-vjetor tjetër. Ndoshta shumëkush do të thoshte: aman, mos na e prishni edhe këtë datë! Mos na u bëni ortakë, të paktën jo sot, na lini ta shijojmë momentin…! Mbase edhe mund ta thonë edhe diçka tjetër më të fortë “dale, ju shqiptarë nuk e votuan referendumin për pavarësi”!(Kanë të drejtë mbase ta përdorin këtë argument)

Një varg keqkuptimesh të dyanshme, por çështja kush ka të drejtë?

E dimë që maqedonasit do të kishin dashur që Maqedonia të jetë vetëm e tyre. Kjo nuk është ndonjë risi e as herezi, shtetet që kanë një “pronar” më mirë funksionojnë, por ja që jo të gjitha shtetet janë të pastra etnikisht me një popull. Realiteti i tyre imponon edhe rregullimin e brendshëm dhe ajo që Maqedonia Veriore duhet ta afirmojë, është pikërisht niveli i lartë i barazisë, si një arritje për të gjithë qytetarët. Dhe nuk mjafton vetëm të shkruar emrat e institucioneve edhe në gjuhën shqipe, por duhet të krijohet kjo kultura multilinguale e komunikimit me qytetarët, si një dëshmi e respektimit të realitetit etnik, por dhe të kushtetutës dhe ligjeve. Tash për tash, vazhdojnë që këtë kulturë dhe bonton ta kultivojnë përfaqësuesit shqiptarë në pushtet dhe ambasada amerikane.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

In : Aktuale

Loading...
loading...