Spitali i Dializës në Strugë në qendër të inovacionit mjekësor: trajtime bashkëkohore për pacientët me diabet dhe sëmundje të veshkave

:
Takim multidisiplinar në Strugë për trajtimin inovativ të pacientëve me diabet dhe sëmundje kronike të veshkave
Në ambientet e Spitalit të Specializuar për Nefrologji – Strugë, u zhvillua sot një takim profesional multidisiplinar mes mjekëve të këtij institucioni dhe atyre të Spitalit të Specializuar për Sëmundje Kardiovaskulare – Ohër.
Qëllimi i takimit ishte shkëmbimi i përvojave dhe diskutimi mbi trajtimet më të reja për pacientët me Diabet Tip 2, sëmundje kronike të veshkave dhe insufiçiencë kardiake.
Në qendër të diskutimit ishte medikamenti inovativ “Kerendia”, i cili përfaqëson një hap përpara në terapinë e pacientëve me këto diagnoza. Sipas drejtuesve të spitalit, ky bashkëpunim ndërmjet specialistëve të fushave të ndryshme është thelbësor për përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor dhe për zbatimin e praktikave bashkëkohore në trajtim.
Një prej lajmeve më pozitive që u bë e ditur gjatë takimit ishte se, për herë të parë këtë vit, spitali i Strugës ka marrë buxhet të kushtëzuar nga Fondi i Shëndetësisë për sigurimin e ilaçit “Kerendia”, i cili do të ofrohet falas për pacientët.
Ky vendim vlerësohet si një lehtësim i madh ekonomik për pacientët dhe një sukses i rëndësishëm institucional.
“Spitali ynë ka vetëm një qëllim – trajtimin cilësor dhe kujdesin maksimal për pacientët. Ata janë mbi gjithçka tjetër”, – theksoi drejtori i Spitalit të Dializës në Strugë.
Ai shtoi se falë punës së përkushtuar të ekipeve mjekësore, qytetarët e Strugës dhe të rajonit nuk kanë më nevojë të udhëtojnë deri në Shkup për të marrë trajtime të avancuara në fushën e nefrologjisë dhe kardiologjisë.
Në fund të takimit, u shprehën falënderime të veçanta për kompaninë farmaceutike “Bayer”, e cila përmes zgjidhjeve të saj inovative, po kontribuon në përmirësimin e trajtimit të pacientëve me sëmundje të veshkave dhe kardiovaskulare.
Ky ishte vetëm hapi i parë drejt organizimit të takimeve të rregullta profesionale, që do të forcojnë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe do të çojnë drejt një shëndetësie më moderne e më efikase për qytetarët e Strugës dhe më gjerë.

































