SS-faktori: “Sela” e “Sazdovski”

Kjo është ajo situatë që si shoqëri duhet ta tejkalojmë, që të mos na ndodhë që të shtohet mosbesimi dhe frustrimi me ngjyrime gjithfarëshe, sa dikush ta merr “drejtësinë” në duart e veta. Të mos na ndodhë që ta shohim rastin e Selës e të mos e shohim atë të Sazdovskit, ose ta shohim të Sazdovskit e ta harrojmë atë të Selës, që janë pjesë e një fenomeni

 

Nga Daut DAUTI

E pata nisur një seri shkrimesh, që dua ta ndërpres pa dashjen time. Pas Micskovskit dhe Zaevit, radhën e kisha për shkrimin “Të (mos) jesh Ali Ahmeti”, por mbeti për javën tjetër, me kusht që të mos dalë ndonjë temë tjetër që t’ma prishë planin. Si kjo për vrasjen e pjesëtarit të grupit të tifozëve “komitët”. Dua ta them haptas se kërkoj dënimin e merituar për sulmuesit e tij, por dhe se duhet të jemi të brengosur për këtë dukuri që shkakton këso incidentesh tragjike…Do të kisha bërë dhe apel për publikun e gjerë që këtë vrasje ta trajtojë dhe përjetojë si çdo tragjedi ku dikush vret dikë, si një kontekst midis dy palëve ku përveç guximit të budallakaftë për të marrë jetë për shkaqe banale(supozojmë fyerjet verbale në baza etnike!), ka dhe gjithçka që “duhet” të ketë dhe faktorin e shkak-pasojës, pra, nuk është tragjedi rasti. Jo që dua të ikë nga fjala vrasje dhe parapëlqej fjalën tragjedi, po pse mendoj se pikërisht si tragjedi duhet të trajtohet, kur është pasojë e një fare të mbjellë që në fillim të viteve 90-të(ndoshta dhe një dekadë më herët si refleks i disa proceseve të kohës), pra të farës së urrejtjes, e cila pastaj ka ardhur duke bërë “frute” dhe sot “vjelim” tragjedi…Emri i viktimës sot është Nikolla Sazdovski, por hiq më pak se para një viti e ndonjë muaj, ai që do të përfundonte si do të quhej Zijadin Sela…Fakti që mbeti gjallë nuk e bën më të vogël veprën, veprën që motiv ka urrejtjen patologjike, veprën mizore që dikush e bën duke urrejtur të tjerët…

Rastisi që mbiemrat e të dyve fillojnë me shkronjën S dhe që i lidh një fenomen, më shtyri që këtë koincidencë ta quaj “SS-faktor”, pa dashur që të shkaktoj keqkuptime me ndonjë kontekst kohor tjetër të kësaj shkurtese…StrugaLajm

Vepra ndaj Sazdovskit ka edhe elementin që e lidh me rastin e Selës: qyqarllëkun. Këtu te fatkeqi Sazdovski ishin gjetur tre persona që e kishin sulmuar, pra “tre veta ndaj një” dhe e kishin lënë me plagë vdekjeprurëse. Kushedi sa herë nga “tre veta ndaj një” kishin shfryrë mllefin ndaj Selës, duke e lënë pa shenja jete, kur sulmuesit e tij kishin menduar se e “kanë kryer punën”, pra, “detyrimin patriotik” ndaj “atdheut”… Sulmuesit ndaj Selës tashmë e fituan dënimin e merituar. Një dënim të tillë e meritojnë edhe sulmuesit ndaj Sazdovskit fatkeq…

I përmenda vitet 90-të, kohën e ardhjes së lirisë dhe demokracisë, kohën e referendumeve të pavarësisë në ish Jugosllavi e më pas, i kushtetutës rigjide dhe lindjes së partive që në platformën e tyre kishin luftën ndaj rrezikut shqiptar, kur një parti politike që atëherë përmendi problemin e 150 mijë kosovarëve(pra, kjo temë nuk është që e shpiku e njëjta parti pas regjistrimit të fundit të popullsisë se gjoja dikush u ka dhënë shtetësi, por që në kohën e Lubço Georgievskit). Vazhdoi të thellohet hendeku, kur çdo kërkese shqiptare haste në homogjenizim etnik maqedonas, kur për hapje fakultetesh (Pedagogjiku…), dilnin e protestonin studentë maqedonas me “komora gazi”…Ajo frymë e atëhershme ka vazhduar edhe pas 2001- shit, sa për një kryetar shqiptar të Kuvendit, para një viti dish u rrënuan institucionet e shtetit, dish u vranë deputetë. Gjatë gjithë kësaj kohe, një tifozeri të njëjtën frymë e ke përçuar në stadiume, duke “i helmuar” shqiptarët që pastaj “natyrshëm”(natyrshëm, ë?!), të gjejë dhe rivalë në palën tjetër…

Por, dua të them troç se nuk pajtohem me atë që thanë disa se vrasjes së Sazdovskit nuk duhet t’i jepet dimension ndëretnik. Natyrisht, vrasja është vrasje dhe nuk duhet të përgjithësohet dhe pajtohem me qëllimin e mirë, për ta qetësuar situatën, por nuk duhet të heshtet kur faktet flasin për një të vërtetë. Këtu nuk bëhet fjalë për një incident të rastësishëm huliganësh, por për një tragjedi ku urrejtja ndëretnike ka luajtur rol vendimtar. Sa “duhen” mes vete “komitët” dhe “shfercerat” flet vendimi parandalues që të mos lejohen bashkë në një ndeshje sportive. Kjo është e kobshme për sportin, por dhe për atmosferën në shoqëri në përgjithësi. Kemi të bëjmë me një urrejtje të kultivuar në dy rrafshe: e para, në planin e urrejtjes sportive midis klubeve(siç janë rivalitetet e dhunshme midis “komitëve” të Vardarit dhe “çkembarëve” të Pelisterit të Manastirit) dhe e dyta, me faktorizimin e klubeve me pronarë shqiptarë, ajo merr edhe karakter ndëretnik. Kjo urrejtje që e përhapin tifozeritë, para së gjithash “komitët” e Vardarit, shpesh është përshkuar edhe me incidente të dhunshme, ku përveç akteve vandale ndaj pronës shoqërore ose private, janë sulmuar edhe njerëz të rastit rrugëve, shesheve, e madje nëpër mëhalla(rasti kur “komitët” madje u hynë nëpër shtëpi shqiptarëve në lagjen e Nerezit). Këto shfryrje të urrejtjes patologjike kanë kaluar edhe nëpër rrjete sociale, nëpër rrugë, sheshe e stacione dhe ja parakushtet për incidente.StrugaLajm

Nga këndvështrimi shqiptar, me shumë fakte, mund të nxirret konkluzioni se të shpeshtën veprat e njëjta nuk kanë pasur epilog të njëjtë nëse kruesit kanë qenë të etnive të ndryshme, gjegjësisht, siç ceka më lartë, kryesve shqiptarë gjykatësit u kanë shqiptuar dënime jashtë çdo logjike juridike. Mirëpo, në rastin e Nikolla Sazdovskit, shokët e tij “komitët” u janë kthyer klisheve që mbretërojnë te opinionin maqedonas, kur thonë se ai “ka qenë i sulmuar nga njerëz që veten e quajnë tifozë, e që në të vërtetë janë kriminelë, dilerë, vrasës dhe MBI TË GJITHA, TË MBROJTUR SI ASKUSH TJETËR NË SHTET” (nënv.im). Këtu, natyrisht, nuk do të ishte e plotë nëse me tragjedinë nuk do të ndërlidhej politika për përplasje midis pushtetit dhe opozitës, me hipokrizinë që tashmë botërisht e njohur: me të drejtë kërkojnë dënim për vrasjen e Sazdovskit, ndërkaq i bëjnë të gjitha obstruksionet, me kushtëzime e madje dhe shantazhe, që të falen (tentim)vrasësit e Selës. Kjo hipokrizi nuk është vetëm një rakurs politik për të përfituar(ndonjë poen politik) nga situata(tragjedia), por dhe më serioze se kjo ndoshta. Është ai këndvështrimi që dhembja për pjesëtarin e vet të jetë më e madhe se vaji i ndonjë nëne të një pjesëtari tjetër! Sigurisht ka shumë të drejtë gazetari Branko Triçkovski kur thotë se “Refleksi Pavllovian i kombit funksionon sipas tingullit të tragjedisë, krejt një nëse është tragjedia e vërtetë ose rreme, krejt një nëse përmban vrasje, platforma, marrëveshje…”, për të vazhduar: “Fatkeqësia është ajo shtysë për njerëzit-qen. Koci i tyre. Këta që kërkojnë amnisti për një sulm të përgjakshëm, ku për fije floku u evituan epilogët vdekjeprurës, kërkojnë që të dënohen maksimalisht vrasësit e Sazdovskit. Unë kërkoj që të dënohen që sot, por ky ekskluzivitet i pamend dhe morbid në qëndrimet e disa aktorëve, e theksoj që ta ilustroj tezën dhe të them se askush nuk ka të drejtë t’i shterë lotët e prindërve dhe të afërmve të djaloshit, me patetikë dhe teatralitete me budallallëqe grandioze në të cilat ngjajnë këso dramash”.

Dhe këtu do t’i jap të drejtë edhe kolegut Emin Azemi, i cili potencon edhe barikadimin e medias “në qëndrime ekskluzivisht etnike” me “mungesë të kurajos qytetare për të sfiduar keqbërësit që vijnë brenda etnisë së tyre”. Këtu vërtet çalojnë pothuajse të gjitha mediat, të cilat shpesh dine “mizën ta bëjnë buall”, ose anasjelltas, “buallin ta bëjnë mizë”, në varësi se kush është viktima e kush keqbërësi. Duke u marrë me fenomenin, e jo (vetëm) me rastin e fundit, dua të them pa kurrfarë dileme, jo vetëm pse jam shqiptar dhe mund të jem i njëanshëm, por pse është fakt, se përhapësit më të mëdhenj të urrejtjes ndër tifozeritë në Maqedoni janë “komitët” e Vardarit. Por, duke analizuar do veprime e raste, nuk janë “lule për t’u marrë erë” as tifozeritë e klubeve shqiptare, të cilat shpesh, duke dashur t’u përgjigjen “komitëve”(“vojvodëve” etj…), bien në të njëjtat nivele, duke shfryrë energji negative sa ndaj tyre, aq edhe kur ndeshen edhe me tifozë të klubeve simotra(shqiptare). Të mos harrojmë se para disa vitesh në një ndeshje të “Bashkimit” me “Shkupin” në Çair, tifozët e lënduan me thikë një futbollist mysafir! Në ndeshje miqësore!!! Ka pasur përplasje të dhunshme edhe midis “ballistëve” dhe “shfercerave”! Në një ndeshje finale për kupën, ku luajti “Shkëndija”, tifozët e demoluan një tribunë të stadiumit të Shkupit.(Lidhur me këtë rast, klubi i Shkëndijës(e dënuar me rreth 50 mijë euro për dëmet) u distancua nga përgjegjësia pasi nuk ka qenë organizatore e ndeshjes, por sikur nuk pati guxim t’i akuzojë tifozët që në emër të këtij klubi e bënë atë gjurulldi! Kur e pyeta një “ballist”(e kisha farefis) çka ju desh kjo, ai më tha “nuk e kemi bërë ne, por shfercerat”… Hajt merre vesh këtë punë, askush nuk e merr fajin).

Urrejtja ndëretnike dhe urrejtja ndaj rivalëve, është një fenomen që shkon me të rinjtë e grupuar në këto tifozeri, por dhe në bankat e shkollës ose fakultete, sigurisht duke bartur me vete edhe shumë reflekse të ndasive etnike e fetare në shoqëri. Kur jemi te tifozeritë, çudit fakti që klubet dinë t’i heshtin incidentet dhe paraqitjet e tyre të turpshme, duke kërkuar gjithnjë fajtorin te të tjerët, madje edhe kur ndëshkohen për këtë nga organizatat sportive të vendit ose ndërkombëtare. Klubet nuk distancohen, mediat i minimizojnë ose stërmadhojnë, ne si qytetarë poashtu i mbyllim sytë kur janë në pyetje “tanët”, kurse rrjetet sociale “ndihmojnë” për të ngritur në më shumë “oktave” zërat e urrejtjes dhe kështu mund të na ndodhin që dikush për një sharje ose fyerje në stadium ose facebook, të përfundojë në arkivol.

Më e keqja që na ndodh sot është se në një varg incidentesh me pasoja herë në njërin tabor e herë në organet e ndjekjes për dikë kanë qenë nënë e për dikë njerkë, dikush për një sulm pa pasoja ka marrë disa muaj burg, dikush për shkak të sulmeve në autobus, ka ndenjur shtatë ditë në burg shtëpiak, dikush që ia ka vizatuar kryqin në gjoks ose bark ndonjë djaloshi ose ndonjë nxënëseje nuk është zbuluar asnjëherë, ose dikujt që ka djegë dyqane e lokale shqiptare i janë dhënë 10 muaj dënim me kusht, e dikujt që ka thyer disa xhama të gjyqit tre vjet…Kjo është ajo situatë që si shoqëri duhet ta tejkalojmë, që të mos na ndodhë që të shtohet mosbesimi dhe frustrimi me ngjyrime gjithfarëshe, sa dikush ta merr “drejtësinë” në duart e veta. Të mos na ndodhë që ta shohim rastin e Selës e të mos e shohim atë të Sazdovskit, ose ta shohim të Sazdovskit e ta harrojmë atë të Selës, që janë pjesë e një fenomeni.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

In : Aktuale

Loading...
loading...