
Strugë – Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Italisë në Maqedoninë e Veriut, Paolo Palminteri, ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe kulturor mes dy vendeve.
Gjatë takimit, u theksua roli i Strugës si një nga destinacionet më të njohura dhe më tërheqëse në vend, si dhe lidhjet e forta tradicionale me Italinë, veçanërisht për shkak të diasporës së madhe strugane që jeton dhe vepron atje.
Ambasadori Palminteri shprehu gatishmërinë për të rritur investimet italiane në Strugë, duke vënë theksin edhe në zhvillimin e bashkëpunimit kulturor përmes projekteve dhe programeve konkrete.
Sipas burimeve nga takimi, një rëndësi e veçantë iu kushtua mundësive për zgjerimin e shkëmbimeve kulturore, ku Struga synon të përfshihet më aktivisht në iniciativa ndërkombëtare, duke ndjekur shembullin e bashkëpunimeve të suksesshme me qytete të tjera.
Nga ana e tij, kryetari Qyra ritheksoi se Komuna e Strugës mbetet e hapur për partneritete të reja që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe promovimin kulturor të qytetit.
Ky takim shihet si një hap konkret drejt afrimit më të madh mes Strugës dhe Italisë, me pritshmëri për projekte dhe investime që mund të konkretizohen në periudhën në vijim.

.gif)




























