
Në zemër të Strugës, përballë një publiku entuziast – miq, artdashës e dashamirës të qytetit – u përjetua një natë emocionesh të paharruara, nën tingujt magjepsës të pianos së virtuozit Genc Tukiqi dhe zërit të jashtëzakonshëm të sopranos me famë botërore, Inva Mula.
Dekori i kësaj nate të veçantë ishin “engjëjt e natës” – kori Okarina, të cilët ndriçuan skenën me performancën e tyre të jashtëzakonshme.
Festivali u nderua me praninë dhe urimet e shumë zyrtarëve e diplomatëve. Një falënderim i veçantë shkon për Ministrinë e Kulturës, Komunën e Strugës, si dhe personalitetet e njohura dhe mediat që e përcollën këtë ngjarje me dashuri – veçanërisht Dr. Roci, TV Kaltrina dhe MTV2, të cilët janë gjithmonë pranë kulturës shqiptare.
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, z. Denion Mejdani, përshëndeti këtë përvjetor me fjalë të ngrohta, ashtu si edhe partneri i festivalit, z. Mendi Qyra – shtylla kryesore e mbështetjes që nga edicioni i parë.
Festivalin e shpalli të hapur organizatorja Fitore Istrefi Alushi, e cila pesë vite më parë nisi këtë rrugëtim me dashuri dhe përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj artit.
Mirënjohje e veçantë shkon për kompaninë Trim & Lum, partnerin tonë të pandashëm, që me mbështetjen e saj e ka kthyer këtë festival në një urë lidhëse mes kulturave dhe brezave. Falë jush, ne jemi këtu!
Gjithashtu, faleminderit edhe afaristëve që besojnë në forcën e artit: ARCH Company, ADF Company, si dhe Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Maqedoni – mbështetja juaj e bën këtë festival më të fortë dhe më të qëndrueshëm.
Faleminderit nga zemra të gjithëve që jeni me ne – në çdo hap, në çdo skenë, në çdo ëndërr që realizohet në Strugë!

































