Aktuale

Struga forcon “arsenalin” kundër mbeturinave – mbërrijnë kamionët e rinj, mbi 8 mijë kosha dhe 132 kontejnerë


Në Strugë ka mbërritur mekanizimi i ri komunal, i siguruar në kuadër të sistemit rajonal për menaxhimin e mbeturinave. Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, së bashku me kryetarin e komunës Mendi Qyra, realizuan inspektim të pajisjeve të sapoardhura.
Bëhet fjalë për një investim që përfshin 6 kamionë të rinj për grumbullimin e mbeturinave, 8.204 kosha dhe 132 kontejnerë. Me këtë përforcohen ndjeshëm kapacitetet e ndërmarrjes publike komunale dhe synohet përmirësimi i shërbimeve si në zonat urbane, ashtu edhe në ato rurale.
I pranishëm në aktivitet ishte edhe drejtori i Ndërmarrjes Komunale, Resul Çollaku, i cili foli për përpjekjet e vazhdueshme të kësaj ndërmarrjeje për pastrimin e qytetit, duke theksuar se me pajisjet e reja pritet rritje e efikasitetit në terren.
Paralelisht, në komunën e Strugës po ndiqen edhe investime të tjera kapitale, përfshirë ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit në qytet, sistemin kolektor Radozhdë–Kalishtë dhe kanalizimin e ri në fshatin Vranishtë.
Autoritetet theksojnë se këto projekte janë pjesë e angazhimeve për një mjedis më të pastër dhe më të shëndetshëm për qytetarët e rajonit të Strugës.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button