Struga forcon luftën kundër ndotjes së ajrit,Komunalja siguron kamion-cisternë për larjen e rrugëve

Në kuadër të projektit “Adresimi i ndotjes së ajrit – faza 2”, i financuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe i zbatuar nga Departamenti për Zhvillim Ekonomik Lokal (ZHEL) pranë Komunës së Strugës, është siguruar një kamion-cisternë për larjen dhe pastrimin e rrugëve, i dedikuar për nevojat e Ndërmarrjes Publike “Komunale” – Strugë.
Ky investim synon forcimin e kapaciteteve të ndërmarrjes publike për mirëmbajtjen e higjienës publike, duke kontribuar drejtpërdrejt në uljen e pluhurit dhe ndotjes së ajrit, veçanërisht në zonat urbane të qytetit.
Nga Komuna e Strugës theksojnë se përmirësimi i cilësisë së ajrit dhe mbrojtja e mjedisit mbeten prioritet, ndërsa projekte të tilla konkrete janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Projekti realizohet në partneritet me organizata ndërkombëtare dhe institucione vendore, ndërsa autoritetet komunale bëjnë thirrje për bashkëpunim të përbashkët në drejtim të një mjedisi më të pastër dhe ajri më të shëndetshëm për të gjithë.





























