
Nusret Ziba
Sa më shumë i afrohemi tetorit, aq më e pranishme bëhet tema e zgjedhjeve lokale dhe pyetja madhore: Kujt do t’ia besojnë struganët fatin e tyre për katër vitet e ardhshme?
Struga ka nevojë për një dorë të vendosur, për një strugan të ditur, të ndershëm dhe atdhedashës, për një udhëheqës me integritet moral dhe përgatitje intelektuale, i cili është i gatshëm t’i rikthejë qytetit krenarinë dhe dinjitetin e munguar prej dekadash.
Ky qytet ka përjetuar një nënshtrim të pamëshirshëm, një zhvatje të paskrupullt, një zbrazje të furishme dhe një kaos të paprecedentë. Struga ka nevojë për një njeri të mençur, të aftë dhe të guximshëm, i cili, me ekipin e tij, do t’i japë fund këtij poshtërimi të zgjatur.
Struga nuk ka nevojë për ata që bëjnë pazare me fatin e saj. Nuk ka nevojë për ata që janë pasuruar duke vjedhur nga buxheti i saj. Nuk ka nevojë për ata që e trajtojnë si një plaçkë të pangopësisë së tyre të pashpirt.
Ajo nuk ka nevojë për ata që malet ia shndërruan në djerrina, fushat në deponi kanceroze, ekonominë në skemë zhvatjeje dhe pasuritë e saj natyrore në koncesione klienteliste. Nuk ka nevojë për ata që e bënë bregun e liqenit një strehë të interesave partiake, ku bizneset e egra funksionojnë pa leje urbanistike dhe pa respekt për hapësirat publike, tash e 11 vjet me radhë.
Struga nuk është pronë private e individëve apo grupeve të krimit të organizuar. Nuk është e askujt në veçanti dhe nuk mund të përdoret për përfitime personale apo grupore.
Struga është e Zotit. Ajo i përket struganëve dhe të gjithë atyre që e duan të gjallë, të begatë, të zhvilluar dhe të ndritur.