Struga kërkon turistë të rinj, prezantohet në panairin më të madh të turizmit në Stamboll

Një ekip i Komunës së Strugës ka nisur sot prezantimin dhe promovimin e qytetit në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Stamboll (EMITT), një nga ngjarjet më të rëndësishme të industrisë së turizmit në rajon.
Projekti realizohet me mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa Komuna e Strugës prezantohet në një stendë të përbashkët me Komunën e Dibrës.
Në kuadër të panairit po promovohen edhe materiale turistike nga hotelierë dhe operatorë lokalë turistikë, të cilët iu përgjigjën ftesës së komunës për bashkëpunim dhe prezantim të ofertës turistike të zonës.
Nga Komuna e Strugës bëjnë të ditur se pjesëmarrja në panaire ndërkombëtare ka për qëllim promovimin e turizmit si një sektor kyç për zhvillimin ekonomik dhe kulturor të qytetit, duke vënë në pah potencialet natyrore, trashëgiminë kulturore dhe mikpritjen që e karakterizon Strugën si destinacion turistik.(StrugaLajm.com)




























