STRUGA MË 8 NËNTOR 44 !

Medai Shaholli

(nga kalendari i ngjarjeve dhe datave)

Si sot më 8 nëntor të vitit 1944, Struga me rrethin do të çlirohet nga partizanët e brigadës së shtatë shqiptare prej okupatorëve nazistë të cilët më parë na kishin ngritur gjoja ”Shqipërinë e Madhe” pa asnjë marrëveshje ndërkombëtare që do t’i njihte këto kufij.
Ata do ta bëjnë ”Shqipërinë e Madhe” pa njohje dhe garanca ndërkombëtare por veç përkohësisht, pa Shkupin dhe Kumanovën, pa Manastirin, pa Mitrovicën, dhe pa Çamërinë ajo nuk ishte Shqipëri Etnike, por demagogji ashtu siç bën edhe partizanët e ”druzhe” Titos që nuk mbajtën premtimin e Kartës së Atlantikut për vetëvendosje të popujve pas luftës.

Ky ishte zhgënjimi i shqiptarëve ndaj pushtetit të ri komunist jugosllav të mashtruar në emër të Luftës kundër nazi-fashizmit pas saj shqiptarëve do t’i vëndojnë prangat e skllavërisë së re.StrugaLajm

Këto fakte historike historianët shqiptarë nuk guxojnë dot t’i quajnë me emrin e vërtetë edhe në kohën e ”demokracisë liberale”.

Duke parë nga distanca kohore si sot e 76-vjet më parë në qytetin e Strugës do të hynë fitimtarë formacionet e para të partizanëve shqiptarë në krye me komisar Qemal Agollin, qytet shqiptar që po çlirohet vetëm nga partizanët shqiptarë të cilët atë ditë e paguan shtrenjtë çmimin e lirisë, ndërsa brigadat sllave qëndronin larg zjarrit të frontit për Strugën dhe bënin sehir nga fshatrat përreth.StrugaLajm

Menjëherë pas përfundimit të festës së çlirimit ku partizanët e brigadës së shtatë shqiptare vazhdojnë rrugën për beteja të reja, forcat e nacionalizmit dhe shovinizmit bullgaromadh ngritën kokë dhe ulën nga shtiza shqipen dykrenare.
Kjo ishte paraqitja e parë e nacional-shovinizmit bullgaromadh me heqjen e flamujve shqiptarë në Strugë e rrethinë.
Lufta kundër nazi-fashizmit si thirrje e bllokut Antifashist botëror u manipulua dhe shqiptarët u përdorën mish për top.
Përmendorja e Revolucionit e ngritur apostafat në sheshin e qytetit kushtuar Luftës Antifashiste nuk shkruan asnjë gërmë në gjuhën shqipe për kontributin e qeleshbardhëve në çlirimin e Strugës.
Kjo ishte maska e vëllazërim-bashkimit që po vazhdon edhe sot me kryeministrin Zaev.

Nëse gjatë Luftës Antifashiste shqiptarët e Strugës nuk ishin të arsimuar dhe u mashtruan pas demagogjisë sllave për vëllazërim-bashkim të popujve dhe barazi mes tyre, sot të arsimuar dhe me diploma Universiteti në demonkracinë e re sllave shqiptarët sërish po e hanë përsëri sapunin për djathë, nga politika të reja të ujqërve të vjetër duke nënshkruar nga deputetët shqiptarë të të gjitha ngjyrave në kushtetutë përcaktimin denigrues si bashkësie etnike e 20%!.

Atëherë, çfarë paraqet sot 8 nëntori i 44, çlirim apo riokupim nga sllavët, këtë duhet të na thonë hapur dhe pa hezitim historianët e rrethit dhe liderët politik shqiptarë që një grupim hiqet si nacionalistë dhe një tjetër palë si të moderuar dhe liberalë?!
Nëse është riokupim atëherë çfarë kërkojnë partiçkat tona në pjesmarrjen dhe në bashkëqeverisjen e këtij qyteti me partitë sllave?
Nëse është çlirim nga nazi-fashizmi edhe këtë le të na thonë hapur mos mbajnë qëndrime të lëkundura sipas interesit të partisë.


Loading...
loading...