Aktuale

Struga mirëpret edicionin e 34-t të Festivalit Mbarëkombëtar dhe Ndërkombëtar “Këngë Jeho” – 2025

Struga do të gjallërohet nga ritmet e folklorit, ngjyrat e kostumeve tradicionale dhe kënga shqipe, teksa qyteti pret edicionin e 34-t të Festivalit Mbarëkombëtar dhe Ndërkombëtar të Këngës Popullore “Këngë Jeho”, që do të mbahet më 11, 12 dhe 13 korrik 2025.

Ky festival i përvitshëm, i cili u themelua më 1991, është një ndër ngjarjet më të rëndësishme të trashëgimisë shpirtërore kombëtare dhe ndërkombëtare, duke mbledhur në Strugë grupe artistike nga trevat shqiptare dhe nga mbarë bota. “Këngë Jeho” nuk është vetëm një ngjarje kulturore, por një platformë për të promovuar vlerat folklorike dhe identitetin etnokulturor të shqiptarëve.

Programi tre-netësh me mbi 20 ansamble pjesëmarrëse

Mbrëmja e parë (11 korrik, e premte) do të hapet me SHKA “Shpresa” nga Veleshta, dhe do të vazhdojë me pjesëmarrjen e grupeve nga Maqedonia, Bullgaria, Shqipëria dhe Paraguaji. Ndër ta janë: Orkestra Folklorike nga Blagoevgradi, Ansambli “Art Dance” nga Elbasani, si dhe “Alma Guarani” nga Paraguaji.

Nata e dytë (12 korrik, e shtunë) sjell në skenë SHKA “Valët e Liqenit” nga Ladorishti, SHKA “Jabllona” nga Theranda, grupin “Breznica” nga Bullgaria, si dhe ansamble nga Tirana dhe Librazhdi. Pranë tyre do performojnë edhe grupet “Visaret e Krabës” dhe “Aziz Ndreu”.

Ndërsa nata finale (13 korrik, e diel) pritet të jetë spektakolare, me pjesëmarrjen e SHKA “Xheladin Zeqiri” nga Tetova, qendrës kulturore “Kaçaniku” nga Kosova, si dhe ansambleve nga Dibra, Bullgaria dhe madje edhe nga Paraguaji.

Në skenë edhe Ansambli Shtetëror i Maqedonisë së Veriut

Pjesë e mbrëmjes finale do të jetë edhe Ansambli shtetëror i këngëve dhe valleve të Maqedonisë së Veriut, i cili pritet të sjellë një shfaqje me koreografi autentike dhe interpretim profesional.

Organizim dhe mision

Nën përkujdesjen e Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Strugës, festivali udhëhiqet nga regjisori Llesh Nikolla, ndërsa në strukturën drejtuese dhe artistike janë emra të njohur si Zini Jusufi, Mustafaj Kalaj, Nashir Kica, Edip Lluga, Arben Ajdini e të tjerë. Në rolin e dirigjentit është Emri Driçdani, poet i festivalit është Vait Nasufi, ndërsa për kujdesin muzikor dhe vizual kujdesen Jeton Pustina, Agrita Elmazi dhe Egzon Stafini.

Festivali ka për qëllim ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore përmes këngës dhe valleve tradicionale, duke shndërruar Strugën në një qendër të kulturës shqiptare dhe ndërkombëtare për tre net me radhë.

Një thirrje për të gjithë dashamirësit e traditës: Struga ju pret!

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button