Struga ngre alarmin kundër dhunës në familje: Komuna dhe AKVA nënshkruajnë dy memorandume bashkëpunimi

Komuna e Strugës dhe Shoqata për Zhvillim dhe Aktivizëm AKVA – Strugë kanë ndërmarrë një hap të ri në drejtim të forcimit të mekanizmave lokalë për parandalimin e dhunës në familje dhe dhunës seksuale, si dhe për mbështetjen e viktimave.
Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, dhe kryetarja e AKVA-s, Ana Naumoska, nënshkruan sot dy memorandume bashkëpunimi, të cilat synojnë një qasje më të organizuar dhe më të koordinuar institucionale në trajtimin e rasteve të dhunës.
Sipas marrëveshjes, parashihen disa hapa konkretë:
Formimi i Këshillit Lokal për Parandalimin e Dhunës në Familje dhe Dhunës Seksuale, i cili do të shërbejë si mekanizëm koordinues mes institucioneve dhe organizatave që veprojnë në këtë fushë.
Mbështetje institucionale për Këshillimoren – Pika Informative për Gratë, që ofron informim, këshillim dhe ndihmë për gratë që përballen me dhunë ose kanë nevojë për mbështetje.
Nga Komuna theksojnë se përmes këtij partneriteti synohet ndërtimi i një komuniteti më të sigurt, ku dhuna nuk ka vend dhe ku viktimat marrin ndihmën e nevojshme në kohë.
Autoritetet lokale bëjnë të ditur se bashkëpunimi me sektorin civil dhe institucionet do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me qëllim zhvillimin e politikave lokale, masave parandaluese dhe mekanizmave mbrojtës, në mënyrë që çdo qytetar – veçanërisht gratë – të ndihen të sigurt në komunitetin e tyre.





























