Struga nuk harron: 72 vjet nga vrasja e mësuesit martir nga Gjirokastra Myfit Sinojmeri

Prof. Nebi Dervishi
Përkujtesë
Me rastin e dy përvjetorëve: 72 vjet nga vrasja në Zhitoshë të Përlepes dhe 103-vjetori i lindjes (20 prill 1923)
Më 14 shkurt 2026 u mbushën plot 72 vjet nga vrasja tinëzare e gjirokastritit Myfit Sinojmeri, nga dora kriminale e një shqipfolësi.
Myfit Sinojmeri lindi më 20 prill 1923 në Gjirokastër. Rridhte nga një familje arsimdashëse me tradita patriotike. I ati, Agushi, kishte kryer studimet e jurisprudencës në Stamboll dhe i arsimoi të gjithë fëmijët e tij – tre djem dhe dy vajza. Shkollën fillore Myfiti e kreu në qytetin e lindjes, në Gjirokastër, ndërsa të mesmen në Liceun e Korçës.
Në trevat etnike lindore shqiptare erdhi në fund të vitit 1941 për të përhapur arsimin shqip, së bashku me “200 pëllumbat e Parnasit të arsimit shqip”, siç do të shprehej më vonë, në revistën “Shejzat”, nr. 1, në vitin 1957, arkitekti i kësaj nisme, profesor Ernest Koliqi, atëkohë ministër i Arsimit në Qeverinë e Tiranës.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945, 22-vjeçari Myfit Sinojmeri mbeti në Kërçovë, ku fillimisht punoi në administratë e më pas si mësues. Pas një viti (1946) u transferua në Tetovë, ku për një kohë të shkurtër fitoi simpatinë dhe dashurinë e tetovarëve.
Më pas u transferua në qytetin “buzë gjolit” të rilindësit strugan dr. Ibrahim Temo, ku krijoi një rreth të gjerë shokësh e miqsh. Aty u njoh me Nesrinen, bijën e pishtarit të arsimit Belul Efendiu (Kadiu), me të cilën u martua dhe pati dy vajza: Dhuratën dhe Vildanen.
Në Strugë, Myfiti u angazhua si mësues në Shkollën fillore shtatëvjeçare “Liria” (ish-Shkolla “Kongresi i Manastirit”). Mësues i popullit dhe revolucionar i devotshëm, pjesën më të madhe të kohës e kalonte me nxënësit në konviktin e shkollës, ku edhe flinte. Internati herë ishte vendosur në ambientet e xhamisë së qytetit, herë në shtëpi private.
Pas transferimit nga Tetova, Myfiti mori detyrën e mësuesit të gjuhës dhe letërsisë shqipe, si dhe të disa lëndëve të tjera. Me punën dhe përkushtimin e tij u dallua si aktivist i suksesshëm në fushën e emancipimit kulturor e arsimor. Kjo veprimtari, për pushtetarët e kohës, u shndërrua në “mollë sherri” për fatin e këtij pishtari të arsimit.
Ish-nxënësit e tij – prof. Nexhat Mustafa, Syrija Imami, Hysen Suldashi (i ndjerë), Petrit Bauta, Sejdin Lloga, Emin Polisi e shumë të tjerë – kanë folur me admirim të veçantë për figurën e një arsimtari model, të cilin e kishin zili të gjithë ata që patën fatin të ishin kolegë e miq të tij.
Sipas kujtimeve të ish-nxënësve:
“Mësuesi Myfit ishte shtatmesatar, tepër i ngrohtë dhe me shpirt engjëllor. Veshja e tij me shije dëshmonte për edukatën estetike. Ishte fytyrëçiltër, me shikim të butë, cilësi me të cilat fitonte dashurinë dhe respektin e nxënësve. Fjalori i tij i pastër dhe komunikimi i ngrohtë e bënin të afërt me të gjithë. Ligjëratat e tij ishin të përgatitura me seriozitet, zgjonin interesim dhe vëmendje. Gjuha e çiltër dhe e ëmbël shqipe depërtonte thellë në kujtesën e nxënësve. Me metoda pedagogjike të përshtatura sipas moshës, ai nxiste kreativitetin dhe shprehjen e lirë të mendimit. Edhe korrigjimet i bënte me butësi, pa fyerje, shpeshherë me humor të lehtë.”
Gjatë viteve që qëndroi në Strugë (deri në shtator 1953), Myfiti gëzonte autoritet dhe vlerësohej për sjelljen e tij të kulturuar. Adhuronte poezinë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, të cilën e recitonte me pasion, duke ngjallur frymëzim te nxënësit. Shpesh shkruante edhe vetë dhe krijimet ua lexonte nxënësve, duke ndikuar në formimin e tyre krijues.
Edhe te prindërit e nxënësve ndikonte pozitivisht, duke forcuar dashurinë për arsimin, traditat dhe kulturën kombëtare. Ndaj besimit fetar islam shprehte respekt të thellë dhe këtë frymë e ruante edhe në procesin edukativo-arsimor.
Në shtator të vitit 1953, autoritetet e pushtetit sllavo-maqedonas vunë re aktivitetin e dendur dhe ndikimin emancipues të mësuesit Myfit. OZN-a dhe UDB-ja, për ta izoluar nga rrethi i tij shoqëror, e larguan nga misioni i shenjtë i mësuesit dhe e angazhuan në administratë.
Pas Informbyrosë dhe acarimit të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, Myfiti refuzoi të pranonte shtetësinë jugosllave. Për këtë arsye u transferua në fshatin Zhitoshë të Krushevës, ku u prit ngrohtësisht nga banorët dhe nxënësit. Për ta eliminuar fizikisht, OZN-a përgatiti kurthin dhe më 14 shkurt 1954 Myfit Sinojmeri u vra tinëzisht nga dora e një shqipfolësi.
Me marrjen e lajmit tragjik, struganët, në mes të dimrit të ashpër, u nisën drejt Zhitoshës për të marrë trupin e pajetë. Nga Përlepja deri në Zhitoshë rrugën e bënë në këmbë për 12 orë, për shkak të borës dhe acarit.
Më 19 shkurt 1954, e gjithë Struga me rrethinë u mblodh për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Myfit Sinojmeri u varros në varrezat e qytetit, pranë varrit të Qazim Bej Vlorës.
Edhe pas 72 vitesh, struganët dhe ish-nxënësit e tij e kujtojnë me nderim figurën e mësuesit martir Myfit Agush Sinojmeri. Kujtimi i tij, vepra dhe vetëflijimi mbeten fanar udhërrëfyes për brezat që vijnë.
Lavdi emrit dhe veprës së mësuesit, pishtarit dhe martirit të arsimit shqip!
08 shkurt 2026
Strugë
Prof. Nebi Dervishi
.





























