
Si medium që prej vitesh ka mbajtur vëmendjen te çështjet reale të qytetit dhe interesin e komunitetit ka pasur gjithmonë të parin, ndjejmë sot një obligim qytetar që kryetarit të ri t’i drejtoj një urim dhe disa sugjerime që qeverisja e tij të sjellë risinë për Strugën dhe jo vazhdimësinë . Ky urim vjen në një moment kur Struga ka nevojë për qeverisje reale dhe për veprime konkrete.
Siç është e njohur, udhëheqja e kaluar e Komunës së Strugës i shkaktoi dëme të rënda qytetit dhe institucioneve, deri në atë pikë sa e detyroi shtetin më të fuqishëm në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ta shpallë “non grata”. Vendimi nuk ishte vetëm një akt diplomatik, por një mesazh i qartë se Struga kishte nevojë për çlirim institucional dhe moral nga një mentalitet qeverisjeje për interesa personale dhe jo publike.
Në këtë frymë, urojmë kryetarin e ri, Mendi Qyra, suksese në detyrën e tij, me bindjen se qeverisja e tij duhet të jetë shkëputje e qartë nga gabimet e së shkuarës dhe jo vazhdimësi. Struga sot nuk ka nevojë për menaxhim rutinë, por për transformim real — jo për folklorizma politike , por për një rikëndellje të plotë të Komunës dhe institucioneve vendore.
Problemet e Strugës janë të dukshme në çdo sektor: kaosi urbanistik, një sistem arsimor i topitur nga praktika e ashtuquajtur “paqe sociale”, ku prej vitesh është menduar më shumë për rehatinë e mësuesve sesa për interesin real të nxënësve, mungesa e një vizioni zhvillimor se ku do të jetë qyteti pas 5 apo 10 vitesh, si dhe boshatisja alarmante.
Struga ka nevojë urgjente që arsimi të çlirohet nga kjo filozofi komode. Në koordinim me MASH, duhet ndërtuar një model i ri riorganizimi të shkollimit me një ndërrim sipas parimit “terditor”: një pjesë e mësuesve të fokusohen te dhënia e mësimit bazë, ndërsa një pjesë tjetër të kenë rol të përhershëm në kontrollin, përforcimin dhe thellimin e njohurive — pa larguar askënd nga puna, por duke rritur cilësinë dhe përgjegjësinë. Po ashtu, praktikës absurde të ndarjes së klasëve në grupe artificiale me 3 apo 4 nxënës secila duhet t’i vijë fundi.
Por kriza e Strugës nuk është vetëm te projektet dhe planet, është edhe te mënyra se si funksionon administrata komunale. Struga ka nevojë urgjente që administrata të vihet realisht në punë, jo sipas parimit se kush i bën më shumë lajka kryetarit apo kush është më afër zyrës së tij, por sipas një logjike të thjeshtë: sa punë konkrete është kryer për komunitetin. Po ashtu, Struga ka nevojë për një Inspektorat Komunal funksional, që vepron dhe merr vendime, e jo një organ pasiv që vetëm konstaton paligjshmërinë.
Një tjetër nevojë thelbësore është hartimi i strategjive për zhvillim dhe rikthim të banorëve të larguar nga Struga. Nuk mjafton të mendosh vetëm për urbanizimin apo turizmin; Struga ka nevojë për hartimin e një programi konkret për rikthimin e struganëve në vendlindje, të shoqëruar me vendime dhe masa reale që mbështesin qytetarët për të investuar, punuar dhe jetuar në vendin e të parëve. Pa një vizion të tillë, boshatisja e qytetit do të vazhdojë dhe çdo përpjekje zhvillimore do të mbetet e pjesshme.
Struga pa struganët e saj nuk ka të ardhme: sot më shumë fëmijë me origjinë strugane jetojnë në Zyrih sesa në vetë Strugën .
Natyrshëm shtrohet pyetja: sa vullnet politik dhe sa guxim real ka sot kryetari Mendi Qyra për t’u përballur me këto plagë strukturore?
Ne besojmë se kryetari nuk ka një “shkop magjik” për ta ndryshuar gjithçka brenda natës, por ai ka mundësinë historike për të vendosur themelet e një qeverisjeje të re, më transparente dhe më afër qytetarit. Kjo kërkon veprime të menjëhershme dhe të matshme pa arsyetime dhe kalkulime :
Hartimin dhe miratimin e një Plani Gjeneral Urbanistik serioz, në koordinim me pushtetin qendror;
Reformimin e thellë të sektorit të urbanizmit dhe ndalimin e praktikave klienteliste në legalizime;
Ndërtimin e një agjende të fuqishme për turizmin, të shoqëruar me marketing modern dhe agresiv;
Hartimin e strategjive zhvillimore ambicioze ekonomike dhe programit për rikthimin e struganëve, të shoqëruar me vendime konkrete dhe masa mbështetëse për qytetarët.
Këto nuk janë luks, por domosdoshmëri për mbijetesën dhe zhvillimin e Strugës.
Struga ka nevojë për një model të ri qeverisjeje: të guximshëm, të pastër dhe me vizion. Kryetari i ri ka në dorë të jetë ose një hallkë tjetër në zinxhirin e zhgënjimit, ose një pikë kthese në historinë e këtij qyteti.
Koha do tregojë.
StrugaLajm





























