Aktuale

Struganet Natyra Malo, Sara dhe Melisa Dimitrioski përfaqësojnë “Drinin” në Kampionatin Evropian Ekipor të Atletikës

Sukseset e atletikës shqiptare po vazhdojnë të shkruajnë histori. Pas rezultateve mbresëlënëse në garat e mëparshme, tri sportistet e klubit të atletikës “Drini” janë kualifikuar për të përfaqësuar Maqedoninë e Veriut në Kampionatin Evropian Ekipor – Liga e 3-të, i cili do të zhvillohet më 24 dhe 25 qershor 2025 në Maribor të Sllovenisë.

Natyra Malo do të garojë në disiplinat 100 metra, 200 metra dhe në stafetën 4×100 metra, duke treguar kështu potencialin e saj në sprintet e shkurtra. Ndërkohë, Sara Dimitrioski do të jetë pjesë e garës së 400 metrave, si dhe e dy stafetave: 4×100 metra dhe 4×400 metra të kombinuar. Motra e saj, Melisa Dimitrioski, do të jetë pjesë e stafetës 4×100 metra, duke kompletuar kështu përfaqësimin e denjë të klubit “Drini” në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare.

Klubi i Atletikës “Drini” ka uruar sportistet për këtë arritje dhe iu ka dëshiruar fat dhe suksese në këtë sfidë të madhe, duke shprehur krenarinë për kontributin që po japin këto vajza në afirmimin e sportit të atletikës në vend.

Pjesëmarrja e tyre në Kampionatin Evropian Ekipor është një dëshmi e përkushtimit, talentit dhe punës së palodhshme që bëhet në këtë klub, si dhe një motivim për gjeneratat e reja që ëndërrojnë sukseset në arenën ndërkombëtare.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button