Struganët nuk do paguajnë ujë për shkurtin – Këshilli miraton vendimin

Këshilli i Komunës së Strugës ka miratuar vendimin me të cilin qytetarët lirohen nga pagesa e faturave të ujit për muajin shkurt. Vendimi vjen pas krizës së furnizimit me ujë, kur për rreth një muaj qyteti dhe vendbanimet përreth mbetën pa ujë të pastër për shkak të turbullimit të burimeve në fshatin Shum.
Megjithatë, vendimi nuk mori mbështetje të plotë nga të gjithë këshilltarët. Këshilltarët e VMRO-DPMNE dhe VLEN abstenuan gjatë votimit. Sipas arsyetimit të VMRO-së, një vendim i tillë mund ta përkeqësojë edhe më tej gjendjen financiare të ndërmarrjes publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”.
Nisma për vendosjen e kësaj pike në rend dite erdhi nga këshilltari i LSDM-së, i cili propozoi që Komuna e Strugës të marrë përsipër detyrimet për faturat e ujit të qytetarëve për muajin shkurt, si kompensim për periudhën kur qyteti u përball me mungesë të ujit të pijshëm.





























