Një fundjavë triumfi për boksin strugan! Në Kampionatin Individual të Boksit të Republikës së Maqedonisë, i zhvilluar në Petrovec të Shkupit, Klubi i Boksit “Sindi” nga Struga rrëmbeu dy medalje të arta dhe një të argjendtë, duke treguar edhe një herë fuqinë dhe disiplinën që po e karakterizon këtë klub në rritje.
Tre boksierë struganë morën pjesë në këtë turne, dhe që të tre triumfuan në gjysmëfinale (31.05), duke siguruar vendin në finale. Edhe në ditën vendimtare (01.06), ata dëshmuan se vendi i tyre është mes më të mirëve në vend.
Aron Skenderi (junior, 54kg), pavarësisht një paraqitjeje bindëse në ring, u dënua padrejtësisht nga vendimi i referëve, të cilët ia morën fitoren që ai e kishte merituar me punë e teknikë. Klubi “Sindi” paraqiti ankesë zyrtare pranë delegatëve të Federatës, por vendimi nuk u ndryshua. Megjithatë, Aron Skenderi tregoi potencialin për të qenë një nga emrat e ardhshëm të mëdhenj të boksit vendor.
Arijon Dauti (junior, 75kg) dominoi në mënyrë mbresëlënëse kundërshtarin e tij, Omer Shaqiri, duke i dhënë dy KnockDown-e në raundin e tretë. Trajnerët e kundërshtarit hodhën peshqirin në ring, dhe Dauti u shpall fitues me TKO.
Në kategorinë e seniorëve, Alim Nasufi përballoi me vendosmëri boksierin Nikola Kiskovski. Me sulme të vazhdueshme dhe presion të palodhur, Nasufi i dha dy KnockDown-e kundërshtarit, duke detyruar referin të ndërpresë ndeshjen dhe ta shpallë struganin fitues me TKO.
Trajnerët e klubit “Sindi” u shprehën tejet të kënaqur me rezultatet, duke vënë në dukje se boksierët po rriten me hapa të mëdhenj dhe po e bëjnë klubin dhe qytetin Strugan krenar.
Faleminderim i veçantë u drejtohet veteranit të klubit, Nasi Hani, i cili i shpërbleu boksierët për sukseset e arritura, si dhe sponsorëve që kanë qëndruar vazhdimisht pranë klubit.(Strugalajm.com)