Strugë, zgjidhje gjysmake për shkollën e muzikës

Gazetar: Miki Trajkovski

Një muaj e gjysmë pasi Alsat shkroi për problemin në Shkollën Fillore të Muzikës në Strugë, gjashtë prej 14 mësimdhënësve për momentin u është zgjidhur statusi, por detyrimet e mbetura nuk janë paguar. Një vit e gjysmë që nga fillimi i punës, mësuesit që mbanin rregullisht mësimin, nuk kishin marrë asnjë nga 17 pagat për shkak se nuk kishin vendime për punësim. Ndërkohë janë punësuar edhe mësues të ri të cilët gjithashtu nuk kanë marrë rroga.

“Më datë 27.02 është bërë përzgjedhja e gjashtë personave dhe më 13 mars është hapur shpallja për 4 mësimdhënës të ri për të cilët janë siguruar mjete financiare. Kallëzimi për kundërvajtje është paguar nga drejtori dhe shkolla sipas lëshimeve të konstatuara më parë”, thanë nga Inspektorati Shtetëror i Punës.

Në fillim të muajit të kaluar, Inspektorati i Punës për Alsat tha se kishte konstatuar se të 14 mësuesit e mbanin mësimin në mënyrë të paligjshme. Ata nuk kanë pasur marrëdhënie pune me institucionin në përputhje me Ligjin për Marrëdhëniet e Punës. Askush nuk ka bartur përgjegjësi.

“Forca është nga mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë, mosfunksionimi i gjyqësorit, prokurorisë, mosfunksionimi i organeve shtetërore, institucioneve, inspektorateve kompetente, mosndëshkimi. Askush nuk mban përgjegjësi për një arbitraritet të tillë…”, deklaroi Alen Dereban- VMRO DPMNE, Strugë.

Ministri i Arsimit Jeton Shaqiri së fundi ka falënderuar mësimdhënësit të cilët, tha ai, kanë punuar “në mirëbesim”. Ministria përkatëse thotë se kjo shkollë, e cila tashmë ka rreth 250 nxënës, do të vazhdojë të punojë.

“Ministria e Arsimit është në komunikim të vazhdueshëm me kryesinë e shkollës dhe për çdo sfidë do të ketë angazhim të përbashkët për tejkalimin më të lehtë të tyre”, deklaruan nga Ministria e Arsimit.

Përndryshe, në shtator të vitit 2021, në mes të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale, në mënyrë solemne e hapën shkollën kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko dhe ministri aktual Shaqiri, i cili në atë kohë ishte ministër i Shoqërisë Informatike. Mirëpo, asnjëri prej tyre nuk përmendi se punonjësve nuk u sigurohen mjete apo pëlqim për punësim dhe se do të duhet të shkojnë në punë pa pagë dhe pa status fiks të punësimit. /alsat.mk

In : Aktuale

Loading...
loading...