Studentët e Informatikës nga Universiteti i Tetovës fitojnë vendin e parë në hakatonin kombëtar

Studentët e Informatikës të Universitetit të Tetovës, Gent Kurtishi, Endrit Zejneli, Arton Useini dhe Eldar Mustafa, kanë shënuar një sukses të madh duke fituar vendin e parë në hakatonin kombëtar, nën mentorimin e Prof. Dr. Festim Halili.
Ekipi fitues u dallua për zgjidhjen inovative dhe qasjen kreative ndaj sfidave teknologjike, duke dëshmuar nivel të lartë profesional dhe përgatitje akademike. Me këtë fitore, studentët e Universitetit të Tetovës sigurojnë të drejtën për të vazhduar garat në nivele evropiane, ku do të përfaqësojnë vendin dhe institucionin e tyre arsimor.
Ky sukses konsiderohet si dëshmi e qartë e cilësisë akademike dhe potencialit inovativ të studentëve dhe profesorëve të Universitetit të Tetovës, duke konfirmuar rolin e këtij institucioni në përgatitjen e kuadrove të afta në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.





























