Studentët nga Evropa preferojnë UEJL-në për të studiuar në kuadër të “Erasmus Plus”

 

Studentët ndërkombëtarë e kanë zgjedhur Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL), për të ndjekur studimet e tyre në kuadër të programit për këmbim studentor të BE-së, “Erasmus plus”, që mundëson lëvizshmërinë e studentëve në universitetet partnere evropiane.

UEJL që nga fillimi i ka kushtuar rëndësi të veçantë ndërkombëtarizimit duke bashkëpunuar me universitetet e vendet e BE-së dhe SHBA-së. Në këtë kontekst, ky universitet me kohë e kishte vendosur në strategjinë e tij zhvillimore nevojën e krijimit të programeve të përbashkëta studimore, krijimin e rrjeteve që do të mundësojnë mobilitet të stafit mësimdhënës dhe studentëve dhe shkëmbimin e përvojave me universitetet evropiane, etj. Kjo është arritur në këtë universitet falë  ligjërimit në gjuhët evropiane.

Federika Torta studente e Fakultetit të Drejtësisë nga Universiteti i Bolonjës në Itali, si duket jorastësisht ka zgjedhur Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, për të vazhduar studimet sipas programit “Erasmus”. Ajo thotë se në UEJL ka marrë një përvojë shumë të mirë, ku ka arritur të mësojë si në teori ashtu edhe në praktikë, para së gjithash duke i pasur parasysh programet studimore në gjuhët e huaja, sidomos ato në gjuhën angleze dhe profesorët ndërkombëtarë, si një mundësi e rrallë në rajon e që e ofron kampusi i UEJL-së.

“Ishte një përvojë mjaft e mirë për arsye së mund të mësoja jo vetëm në teori, por edhe në praktikë. Në Universitetin e Evropës Juglindore mund të mësosh diçka më shumë në krahasim me universitetet e tjera”, shprehet Federika Torta.

Krahas Fedrikës edhe shumë studentë tjerë kanë ndjekur studimet në UEJL. Studentet Lea Frisho, Agat dë la Rusëri, nga Franca dhe Elena Ruzhiç e Zvonimir Jardas, nga Kroacia, e kanë ndjekur semestrin veror të vitit akademik 2015/16, në Fakultetin e Administrimit Publik dhe Shkencave Politike, ndërsa studentja suedeze, Viktoria Knutson, e ka ndjekur semestrin veror të vitit akademik 2015/16 dhe semestrin dimëror të vitit akademik 2016/17, në Fakultetin e Biznesit dhe Ekonomisë.

Në kuadër të programit “Erasmus plus” deri më tani dhjetëra studentë  nga shtete si Italia, Franca, Suedia, Spanja dhe Kroacia e kanë zgjedhur Universitetin e Evropës Juglindore për të ndjekur një semestër, për shkak, siç thonë ata të afërsisë me modelin evropian të universitete dhe se ky universitet i ofron të gjitha kushtet që kërkohen në kuadër të programit “Erasmus Plus”.

In : Aktuale

Loading...
loading...