Studimi britanik: Pse disa njerëz sëmuren më rëndë nga COVID 19, ndërsa të tjerët e kalojnë më lehtë

Studiues të universitetit britanik të Stanford thonë se kanë zbuluar arsyen se përse disa pacientë sëmuren më rëndë nga infeksioni i COVID-19 e të tjerë jo.

Në studimin e publikuar në revistën shkencore ‘Science’ thuhet se devijimet imunologjike dhe mangësitë brenda një mostre bëjnë dallimin mes rasteve të rënda dhe atyre më të buta të koronavirusit të ri.

Zbulimet thonë se dallimi ka të bëjë kryesisht me sistemin e lindur imunitar evolucionar të pacientit, i cili është përgjegjës për pikasjen dhe eliminimin e viruseve apo patogjenëve të dëmshëm dhe rrjedhimisht reagimin ndaj infeksionit COVID-19. “Zbulimet tregojnë sesi sistemi imunitar keqfunksionon gjatë infeksionit të koronavirusit dhe kjo shkakton gjendje të rëndë të sëmundjes,” tha autori i studimit Bali Pulendran, profesor patologjie e mikrobiologjie në Stanford pas ekzaminimit të reagimeve imunitare të 76 njerëzve të infektuar me koronavirus dhe 69 individëve të shëndetshëm.

Studiuesit zbuluan se në rastet e rënda të sëmundjes COVID-19 pacientët zotëronin “nivele të larta molekulash që nxisin inflamacionet.” Tre nga këto molekula janë lidhur me sëmundjet inflamatore të mushkërive, por sipas studimit “nuk ishin dokumentuar më parë në infeksionin e COVID-19.” “Këto molekula dhe receptorët e tyre përfaqësojnë për ne objektiva interesantë terapeutikë në luftën kundër COVID-19,” tha Pulendran.

Shkencëtarët zbuluan gjithashtu nivele të larta mbetjesh bakteriale në gjakun e pacientëve me simptoma të rënda të COVID-19. Sa më shumë mbetje të tilla, aq më i sëmurë ishte pacienti dhe aq më shumë substanca pro-inflamatore qarkullonin në gjakun e tij.

Qelizat inflamatore reagojnë të parat ndaj viruseve si një lloj ndihme e shpejtë e sistemit imunitar por studiuesit nuk ishin të sigurtë nëse numrat e tyre bënin dallimin mes infeksioneve të rënda dhe atyre më të buta me COVID-19. “Një nga misteret e infeksionit COVID-19 është se disa njerëz krijojnë sëmundje të rëndë dhe disa të tjerë duket se shërohen shpejt prej saj, ne vetëm tani kemi nisur të kuptojmë se përse ndodh kjo”, thuhet në komentin e universitetit.

In : Aktuale

Loading...
loading...