Sulm në një media në Shkup gjatë transmetimit të drejtpërdrejt

Një person i panjohur hyri me forcë në redaksinë e portalit Infomax në Shkup të martën mbrëma, duke ndërprerë transmetimin e drejtpërdrejtë të podcastit “Muhabete të rënda”, njoftuan gazetarët Aleksandar Mitovski dhe Milosh Miloshevski, përcjell INA.
Sipas tyre, sulmuesi ka thyer derën hyrëse të studios dhe ishte përpjekur të depërtonte deri në hapësirën e transmetimit. Ekipi arriti të ndalonte njërin nga personat e përfshirë deri në mbërritjen e policisë. Mitovski tha se incidenti është incizuar i gjithi me kamera sigurie.
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë-SHGM reagoi duke e dënuar sulmin, duke e cilësuar “rrezik serioz për sigurinë e gazetarëve dhe një ndërhyrje direkte në punën e medias”. Shoqata tha se sulmuesi ka shqiptuar ofendime dhe kërcënime dhe ka thyer dy dyer të objektit.
Sipas SHGM-së, rasti mund të bjerë nën nenin 382 të Kodit Penal për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës, që parashikon dënime deri në tre vite burg.
Shoqata kërkoi hetim të shpejtë dhe sanksione ndaj autorit. Policia ende nuk ka dhënë detaje shtesë për incidentin.





























