Taravari në “Lutjet e Mëngjesit” në SHBA

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), njëheritë ministër i Shëndetësisë, Arben Taravari, për herë të dytë mori pjesë në “Lutjet e Mëngjesit” në SHBA. Taravari përveç pjesëmarrjes në “Lutjet e Mëngjesit” në Uashington ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të lartë të Senatit Amerikan. Siç bën të ditur Taravari, kanë diskutuar për sfidat me të cilat përballet vendi në rrugën drejt integrimit Europian.
Gjithashtu, gjatë vizitës në Uashington Taravari ka marrë pjesë në Forumin Interparlamentar për Siguri, forum ky i organizuar nga kongresmenët Pete Sessions dhe Robert Aderholt.
“Në këtë forum u diskutuan çështje të sigurisë për Bashkimin Evropian dhe, në veçanti, për Ballkanin Perëndimor, si nevoja për forcimin e institucioneve të mbrojtjes dhe zgjerimi i mëtejshëm i NATO-s,” ka deklaruar Taravari.