LN ARCHITECTS
BLENDI PETROL
Aktuale

Taravari shpërfilli kërkesat e VLEN-it, konfirmon bisedën telefonike me Ahmetin

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari i cili është larguar nga koalicioni VLEN pasi vendosi të shkojë në zgjedhje lokale ndaras, ka pranuar se ka realizuar bisedë me kreun e BDI-së Ali Ahmeti. Në një intervistë për Lajm ai thotë se takim nuk ka pasur, por është dëgjuar me të në telefon.

Takim me Ali Ahmetin a keni pasur apo prisni të keni?

“Jo, jo, jo. Ka pasur një bisedë telefonike dhe ajo është…”, deklaroi Arven Taravari, kryetar i ASH.

Televizioni Alsat që në fillim të muajit prill raportoi për një bisedë telefonike 40 minutëshe mes Taravarit dhe Ahmetit, e cila sipas burimeve tona ka bërë që Taravari të lëkundet në bindjet, që deri dje i mbronte me aq fanatizëm ndaj BDI-së. Disa herë, Taravari përmendi që partia e tij ka kanale komunikimi me BDI-në, por edhe sinjale për bashkëpunim në zgjedhjet lokale. Madje, duke relativizuar se edhe partitë tjera të VLEN-it kanë kontakte. Ndaj kësaj, mori përgjigje të ashpër nga Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje se nuk kanë asnjë arsye për të komunikuar me një parti të korruptuar, funksionarët e të cilës janë në lista të zeza.

Biseda telefonike është realizuar pikërisht në kohën kur Aleanca për Shqiptarët do të duhej të vendoste për mënyrën e garimit në zgjedhjet lokale, për çka Taravari disa herë përsëriti se ekzistojnë dy opsione për të garuar në zgjedhje. I pari, të garojnë së bashku me VLEN-in dhe i dyti të garojë vetëm si ASH, që në këtë rast nuk do të përjashtohej mundësia për të bashkëpunuar në komuna të caktuara me BDI-në.

“Nëse shkojmë në rrethin e dytë do të kërkonim mbështetje normalisht, ku do të shkojë BDI-ja, do të kërkonim nga VLEN-i, ku nuk do të shkojë BDI-ja, do të kërkonim mbështetje nga BDI-ja”, tha Arven Taravari, kryetar i ASH.

Liderët e VLEN-it disa herë paralajmëruan Taravarin që të ndërpret bisedimet me BDI-në. Bilall Kasami, në një intervistë tha se Taravari ka qenë zero para se të vijë në koalicion dhe zero do të mbetet edhe nëse del jashtë tij, ndërsa Izet Mexhiti porositi që delja që ndahet prej kopesë e ha ujku. Taravari këto i cilësoi si “lapsus lingua”. ASH-ja, megjithatë vendosi të garojë vetë në zgjedhje edhe pas paralajmërimit që nëse del vetë në zgjedhje dhe nëse dëshiron bashkëpunim me BDI-në, atëherë s’mund të jetë pjesë e tyre.

Mbetet enigmatike se si Arben Taravari, BDI-në e transformoi në opsion të mundshëm bashkëpunimi kur më herët e cilësonte kancer të shoqërisë. Para dy muajsh deklaronte se çdokush ka turp të thotë se bashkëpunon me BDI-në.

“Në qoftë se lëmë mendësinë e zotëri Ahmetit dhe mendësinë që e keni ju si BDI, prandaj ju them, ju duhet “reset”. Duhet ta ndryshoni mënyrën si i perceptoni gjërat. Nuk shkon bre. A e shihni, janë distancuar të gjithë nga ju. Është distancuar faktori ndërkombëtar, është distancuar VMRO-ja, është distancuar LSDM-ja, i vjen turp të thotë se bashkëpunon me BDI-në, a e keni parasysh bre, a e shihni pak veten?”, u shpreh Arven Taravari, kryetar i ASH.

Aleanca për Shqiptarët u nda në dyshë, pikërisht për shkak të mospajtimeve për bashkëpunim me BDI-në. Taravari e cilësonte tradhti hapin e Ziadin Selës për t’u bërë bashkë me BDI-në, por sot e ka edhe vetë opsion bashkëpunimi. 

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button