BLENDI PETROL
Aktuale

Të dorëhequrit e ASH-së 4 muaj marrin rroga nga qeveria, ja përgjigja e tyre?

Kuadrot e Aleancës për Shqiptarët vazhdojnë të figurojnë si ushtrues detyre në institucionet Qeveritare edhe 4 muaj e gjysëm pasi kanë deponuar dorëheqjet. Qeveria për çdo muaj në xhirollogarin e tyre tranferon rrogat edhe pse nga 28 dhjetori i vitit të kaluar nuk shkojnë në punë.

Zylfi Adili, Elmi Aziri, Arta Toçi, Remzi Memedi, në postet sekretar shtetërorë dhe zëvendësministra, të vetmen mënyrë për të bindur qeverinë të konstatojë dorëheqjet e tyre është t’i kthejnë rrogat në xhirollogarinë e qeverisë.

Sekretari shtetërorë në Ministrinë e Drejtësisë, Zylfi Adili, thotë se rrogën nuk e kthen, derisa nuk shkarkohen zyrtarisht nga funksioni, sepse teknikisht ai vazhdon të ushtrojë detyrën. Adili thotë se herë pas here shkon në vendin e punës për nënshkrimin e akteve dhe dokumenteve, që të mos bllokohet institucioni.

“Edhe ministri është në dorëheqje, edhe unë jam në dorëheqje dhe deri sa të na zëvëndësojnë me të tjerë në faktikisht, teknikisht e ushtrojmë detyrën. Domethënë deri sa të vijnë të rinjtë, t’i je i obliguar ta krysh detyrën teknikisht që mos të bllokohet procesi”- tha për Almakos, Zylfi Adili.

Ndryshe prej tij, Elmi Aziri, i cili ende figuron si zëvendësministër në Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale, thotë se nga momenti kur ka deponuar dorëheqjen e tij në arkivin e Qeverisë, asnjë minutë nuk është paraqitur në zyrat e kësaj ministrie.

“Për procedurat parlamentare, duhet të adresoheni tek kryeministri Zoran Zaev, se përse nuk e bën lirimin tonë nga këto poste. E dyta, personalisht mua kjo më paraqet pengesë, sepse ju e dini unë jam në marrëdhënie punë në Universitetin e Evropës Juglindore, dhe unë realisht nuk mund të realizoj të drejtën time për të ushtruar detyrën si profesor. Po unë diku rrogë duhet të marr”- tha Elmi Aziri nga Aleanca për shqiptarët”- thotë Elmi Aziri, nga ASH.

Ndërkohë që dorëheqjet nuk i janë konstatuar as zëvendësministres së punëve të jashtem, Arta Toçit, dhe zëvendësministrit për transport dhe lidhje, Remzi Memedit.

Nga Qeveria nuk dhanë përgjigje konkrete se kur dorëheqjet do t’i dorëzohen Kuvendit të Maqedonisë.

Në fillim të muajit shkurt, nga Lidhja Socialdemokratë vonesën e konstatimit të dorëheqjeve e arsyetonin me bllokimin e punës së Kuvendit, për shkak të 35 mijë amandamenteve që VMRO-DPMNE propozoi për Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Tashmë nga data 14 mars puna e Kuvendi rrjedh normalisht, por dorëheqjet nuk janë konstatuar./Almakos

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button