Aktuale

Të kalosh ditën me 50 denarë

Raporti i fundit i Entit Shtetëror të Statistikave në Maqedoni (ESHS) tregon se 51 për qind e familjeve totale të vendit, ato që përbëjnë dhe pjesën më të varfër, jo vetëm që nuk kanë pasur rritje mirëqenieje gjatë këtyre 10 vitet e fundit, por janë përballur edhe me mungesë të gjërave elementare për ushqim, shkruan gazeta KOHA. “Në Maqedoni, 450.000 qytetarë jetojnë në varfëri të skajshme apo një familje me nga 3 apo 6 anëtarë e kalojnë muajin me 6000 denarë. Me problemin e varfërisë më së shumti ballafaqohen familjet që janë bartës të ndihmave sociale me nga 3 apo 4 fëmijë”, thuhet në raportin e fundit të ESHS-së. Mirëpo, në varfëri të skajshëm nuk jetojnë vetëm familjet me ndihma sociale, por edhe një numër i madh i të punësuarve në Maqedoni, të cilët edhe pse marrin rroga të rregullta – kanë vështirësi të përballojnë harxhimet mujore të nevojshme për një familje katër anëtarësh me një të punësuar. Të dhënat e fundit zyrtare të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale tregojnë se 220.000 mijë të punësuar, gjegjësisht çdo i treti i punësuar në Maqedoni është i varfër edhe përkundër faktit se të njëjtit marrin pagë mujore.

MPPS, raporton më tej KOHA, vlerëson se të varfrit nuk janë vetëm të papunët, por edhe të punësuarit dhe opsion i vetëm për të zbutur sadopak varfërinë – është rritja e rrogës minimale. “Rritja e rrogës minimale nuk do të thotë se do të ulë varfërinë te një numër i konsiderueshëm i të punësuarve që deri më sot kanë marrë rroga më të ulëta se rroga minimale. Përllogaritjet e fundit tregojnë se se një familje katër anëtarëshe duhet të ketë rrogë më të lartë se 12 mijë denarë në muaj që të mund të del nga varfëria e skajshme”, thotë ministrja Milla Carovska. Sipas saj, sistemi për mbrojtje sociale deri më sot nuk ka thënë rezultate sa i përket uljes së përqindjes së personave të varfër në vend, prandaj paralajmëron se deri në fund të vitit të ardhshëm – do të fillohet me masa konkrete, të cilat parashohin që çdo familje të ketë të ardhura më të larta se 12 mijë denarë. “Planifikojmë që deri në fund të vitit 20120, varfërinë nga 21.5 për qind sa është për momentin, ta zvogëlojmë deri më 16 për qind. Kjo do të arrihet me shkurtimin e të gjitha shpenzimeve joproduktive që të mund të ketë më shumë para për qytetarët e kategorive të rënda sociale. Megjithatë, nuk zgjidhet problemi nëse këta persona nuk i përfshijmë në tregun e punës. Është e rëndësishme që ne – patjetër të bëjmë aktivizimin e të gjitha personave që marrin asistencë sociale dhe të mos lejojmë që ndihmat sociale të jenë mënyra e vetme e jetesës. Ndihma sociale nuk është mënyrë e jetës. Kjo është vetëm rrjet që ju ndihmon në momente të krizës ekonomike si familje apo individ, e më pas duhet t’ju kthehen në tregun e punës”, thotë ministrja Carovska.

Të dhënat e fundit të ESHS-së për varfërinë në Maqedoni nuk janë diçka e re për ekspertët ekonomik, të cilët Maqedoninë e vendosin si një nga vendet e paktë në Evropë ku shtresa më e varfër e popullsisë, gati gjysma e saj, po bëhet edhe më e varfër. “Maqedonia, gjegjësisht qeveritë e mëparshme gati 20 vite me të gjitha përpjekjet fisnike për të ndryshuar gjendjen sociale të qytetarëve në Maqedoni, më shumë se gjysma e popullatës vazhdon të bëhet edhe më e varfër se sa kanë qenë 10 viteve më parë. Nuk them se asnjë qeveri deri më tani nuk është përpjekur të bëjë diçka për gjendjen e mjerë të të varfërve. Ka pasur propozime të ndryshme, por deri më sot nuk është përpiluar asnjë strategji e mirëfilltë qeveritare për të përmirësuar varfërinë, e cila vazhdon dita ditës të rritet edhe më shumë”, thotë Besnik Fetai, profesor universitar. Sipas tij, të dhënat e fundit të ESHS-së flasin se 51 për qind e popullatës në Maqedoni jetojnë në varfëri, një anëtar i familjes katër anëtarëshe më një të punësuar mbahet gjallë me më pak se 100 denarë në ditë, ndërsa një anëtar i familjes prej katër anëtarësh më asistencë sociale mujore prej 6000 denarë apo 100 euro në muaj, e mbijeton ditën me më pak se një euro apo 50 denarë. Njëhersh, të dhënat e fundit të ESHS-së tregojnë se 28 për qind e popullatës në Maqedoni brenda një muaji nuk mund të mbulojnë harxhimet e nevojshme siç është ushqimi. Në anën tjetër, 42 për qind e amvisërive në Maqedoni me rrogat që marrin brenda muajit – nuk arrijnë të paguajnë të gjitha faturat komunale, derisa vetëm 16 për qind e popullatës arrijnë të paguajnë të gjitha faturat komunale si dhe të ushqehen mirë. Ndërsa sa i përket pagave mujore, sipas ESHS-së, 40 për qind e popullatës marrin rrogë në vlerë deri më 20.000 denarë, 49 për qind marrin rroga prej 12.000 denarë deri më 25.000 denarë dhe vetëm 8 për qind e popullatës ë Maqedonisë marrin pagë mujore mbi 25.000 denarë.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

 
Back to top button