Të rinjtë duan 1500 euro rrogë!

Oferta e fuqisë punëtore në Maqedoni nuk korrespondon aspak me kërkesat e punëdhënësve në treg, si te kompanitë vendore ashtu edhe te ato të huaja, për shkak të mospasjes së politikave të qarta arsimore drejtë orientimit të fuqisë punëtore në relacion me nevojat reale të tregut, shkruan gazeta KOHA. Mirëpo, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar nuk është arsyeja e vetme që kompanitë e huaja nuk mund të gjejnë kuadër profesional me arsim të mesëm të profilizuar. Sipas kryetarit të Shoqatës së punëdhënësve në Maqedoni, Angel Dimitrov, rrogat e ulëta që ofrojnë kompanitë e huaja janë një ndër shkaqet që shumë të rinj që kanë të kryer arsimin e mesëm profesional, nuk shprehin interesim për t’u punësuar në kompanitë e huaja prezentë në Maqedoni. “Është e vërtetë se 90 e për qind e të rinjve që mbarojnë shkollën e mesme vazhdojnë shkollimin e lartë. Prandaj është më se e nevojshme që shteti të fillojë me zbatimin e arsimit të mesëm dual, pra derisa të rinjtë të mësojnë në shkollë të mesme, të paktën dy herë në javë të bëjnë dhe praktikën në firmat vendore apo të huaja që janë prezentë në Maqedoni”, thotë Dimitrov. Sipas tij, shkaku që shumë të rinj që kanë mbaruar arsim të mesëm të profilizuar aspak nuk shprehin interesim të punësohen në kompanitë e huaja ndërlidhet me rrogat e ulëta që ata ofrojnë. “Ai pak kuadër i të rinjve që kanë të kryer arsim të mesëm profesional dhe janë me kualifikime të larta aspak nuk shprehin interesim për t’u punësuar në kompanitë e huaj për shkak të rrogave të vogla që ato ofrojnë. Shumica e tyre ikin nga Maqedonia dhe gjejnë punë të përkohshme në vende të ndryshme të Evropës, ku marrin rroga mujore dhjetë herë më të larta se sa do të paguheshin në kompanitë e huaja prezentë në Maqedoni”, thotë Angel Dimitrov, kryetar i Shoqatës së Punëdhënësve në Maqedoni. Sipas drejtorit të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP), Fatmir Bytyqi, konstatimi i kompanive të huaja nuk është asgjë e re, pasi problemi i mospasjes së fuqisë punëtorë është problem ka disa vite, i cili në parim bie ndesh me përqindjen e lartë të papunësisë që themi së në Maqedoni ekziston, kurse nga ana tjetër në konkurset për vende të lira pune nuk ka interes. “Një fakt i pamohueshëm është se pushteti i deritanishëm ka krijuar fuqi punëtore servile, e cila do donte të ‘punon’ në administratë, në vend se në sektorin real, sepse në këtë të dytin kërkohet punë e njëmendë. Dhe ky është një dëm i pa riparueshëm në shtigje të gjata”, thotë Bytyqi. Momenti i dytë, sipas tij, është se në tre vitet e fundit kemi një ikje të trurit nga Maqedonia për në vendet tjera për një të ardhme më të mirë dhe rroga disa herë më të larta se sa ofrohen në Maqedoni. “Kjo mund të lidhet me kushtet jo shumë të favorshme që ofrohen për punë në Maqedoni dhe që drejtpërdrejtë lidhen me politikat e gabuara qeveritare të promovimit të fuqisë së lirë punëtore për thithjen e sa më shumë investimeve të huaja”, thotë Bytyqi. Si faktorë i tretë i mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar është edhe arsimi jo cilësor në Maqedoni. “Kemi rritje enorme të njerëzve me diploma në profile që tregu i punës nuk i kërkon, por të cilët edhe përskaj diplomave të fituara, nuk janë të aftë për t’ju përgjigjur nevojave të tregut me shkathtësitë e fituara gjatë arsimimit të tyre. E gjithë kjo mendoj se është për shkak të mospasjes se politikave të qarta arsimore drejtë orientimit të fuqisë punëtorë në relacion me nevojat reale të tregut”, thotë Fatmir Bytyqi, drejtor në OEMVP-në. Ndërkohë profesori universitar Marjan Peterski, thotë se problemi me aftësitë profesionale që kanë të rinjtë në Maqedoni dhe ato profile që kërkohen nga punëdhënësit nuk është problem i ri, pasi ky problem është prezent një periudhë të gjatë në Maqedoni, kurse rrënjët i ka te sistemi i mesëm arsimor dhe politikat e gabuara të qeverisë që të rinjve u ofron më shumë diploma se sa aftësi profesionale. “Më saktë, Qeveria katër vitet e fundit më shumë i nxit të rinjtë të mbarojnë arsimin e lartë, duke hapur fakultet pothuajse në të gjitha qytetet e Maqedonisë dhe kështu ndërpret mundësinë e të rinjve të fitojnë aftësi profesionale të nevojshme për tregun punës. Kështu, një kohë të gjatë është krijuar një kontigjent i fuqisë punëtore me arsim të lartë, të cilët nuk kanë aftësi specifike që kërkohen në tregun e punës. Si arsye e dytë është se rrogat e ulëta që ofrohen nga kompanitë e huaja nga shumë të rinj që tani më kanë një profesion nuk konsiderohen të pranueshme për punë. Pra, një kohë të gjatë në Maqedoni fokusi i shollave të mesme profesionale po humbet, edhe pse kemi shumë kompani të huaja në vend që po ballafaqohemi me mospasje të aftësive konkrete të fuqisë punëtore fizike, gjegjësisht kuadër të kualifikuar për të cilin kanë nevojë shumë kompani të huaja, por edhe kompani vendore”, thotë Marjan Petreski, profesor i ekonomisë.

Ndryshe anketa e zhvilluar nga www. fakulteti.com në vitin 2016 më të rinjtë që kanë përfunduar shkollën e mesme profesionale nxjerr në pah të vërtetën se numër i madh i të rinjve vite me radhë ikin nga Maqedonia drejt vendeve të Evropës Perëndimore me shpresë se do të gjejnë një vend pune, ku do të paguheshin shumë më mirë se për punën e njëjtë që e bëjnë në Maqedoni. Në pyetjen se “A është profesioni i juaj i paguar në Maqedoni”, kësaj pyetje i janë përgjigjur 3.335 anketues dhe një pjesë e mirë e tyre janë përgjigjur se nëse profesioni i tyre do të paguhej 1.500 euro, nuk do të iknin nga Maqedonia, por do të qëndronin në vendlindje. “Edhe pse shumica e të anketuarve janë përgjigjur se do të lëshonin Maqedoninë nëse do të gjenin një vend pune në shtetet e BE-së, prapë se prapë një numër i konsiderueshëm janë përgjigjur se nëse profesioni i tyre do të paguhej 1500 euro në muaj, ata do të qëndronin dhe do të krijonin karrierën e tyre në Maqedoni. Me rrogë mujore prej 90 e deri më 120 mijë denarë askush nga të rinjtë të cilët kanë të kryer shkollën e mesme profesionale në asnjë mënyrë nuk do ta lëshonin Maqedoninë dhe të shkonin të punonin jashtë vendit”, thuhet në anketën e realizuar vitin e kaluar nga ueb faqja www.fakulteti.mk.

 

In : Aktuale

Loading...
loading...