Telefonata mes Zaevit dhe Selës, çfarë u bisedua dhe pse nuk u zgjodh ministri të hënën?!
Kryeministri Zoran Zaev ka thirrur në telefon Ziadin Sela, për të kërkuar takim pas kthimit të tij nga Amerika, bëjnë të ditur për INA burime partiake pranë LSDM.
Por Sela siç mësohet ka qenë në Austri me komunitetin shqiptar në Vjenë, ku i është organizuar një pritje madhështore.
Vetëm se është caktuar takimi për të enjten, derisa Sela zbret në Shkup ditën e mërkurë, pas një vizite gati njëmujore në SHBA dhe pak ditë në Vjenë dhe Zvicër. Kjo vizitë ka qenë edhe për takime, por edhe për trajtim mjekësor, pas problemeve shëndetësore që pësoi kreu i Aleancës nga ngjarjet e 27 prillit.
Nga LSDM dhe ASH nuk japin detaje se çfarë kanë biseduar dy liderët pas një ftohje të raporteve dhe moskomunikimit për disa javë.
Por nuk jepen arsyet dhe përse maxhoranca aktuale nuk e zgjodhi ministrin e shëndetësisë dhe ministrat e tjerë ditën e hënë, ashtu siç ishte paralajmëruar nga vetë Zaev, por edhe mediat e afërta me LSDM.
Venko Filipçe tashmë është kandidati për ministër të shëndetësisë, derisa Zaev në tryezë ka pasur edhe kandidatin e ASH-së, Vullnet Ferati, për të cilin paraprakisht ka pasur dakordim, siç kishte pohuar sekretari gjeneral i ASH-së, Arben Taravari. (INA)