Në Zvicër akoma është i lartë fenomeni: Kush ka emër të huaj ka më pak gjasë punësimi sesa ai që mban emër vendor. E kundërta është e paktë, shkruan televizioni zviceran “SRF”.
21 vjeçari Afrim ka arritur përmes internetit të gjejë një vend të lirë pune. Punëdhënësi kërkon një punëtor “të ri dhe të zgjuar.” Të njëjtën punë e kërkon edhe Peter. Të dy aplikojnë dhe pas tre ditëve Afrimi refuzohet, ndërsa Peterit i ofrohet vendi i lirë i punës.
“Kjo është e papranueshme. Ka emra të mirë dhe të këqinj,” shkruante para pak ditësh po e njëjta media pasi në firmën Swisslife disa emra të punëtorëve ishin “përshtatur për tregun zviceran”.
Imagjinare por e vërtetë
Rasti i mësipërm është i shpikur dhe imagjinar, megjithatë realiteti është evident dhe ajo mbështetet edhe nga studimi i bërë nga Fondi Nacional, në vitin 2003. Aty kërkohej përgjigje nëse emri i huaj është me të vërtetë në dëm të bartësit të tij ose jo. Për të marrë përgjigjen, autorët e hulumtimit kishin dërguar aplikime fiktive për punë në shumë firma, ashtu sikur Afrimi dhe Peter-i dhe kishin pritur përgjigjet. Ato ishin shumë të qarta: emri luan sigurisht një rol. Për Zvicrën gjermane, studimi kishte ardhur në përfundimin se në veçanti të rinjtë shqiptarë ishin ata që dëmtoheshin me rastin e kërkimit të punës. Madje 59 për qind të tyre rezultonin të diskriminuar. Në vendin e dytë, por me një dallim të madh, vinin turqit, me 30 për qind. Kjo të kujton edhe studimin anketues të Havard, sipas së cilit rreth 70 përqind e zviceranëve nuk kishin dashur të punojnë në një zyrë me shqiptarët. Përqindja e shqiptarëve ishte më e lartë edhe se e zezakëvë dhe myslimanëve.
Kërkesa puna me emra anonimë
Për të përmirësuar gjasat e të rinjve me origjinë të huaj është zbatuar një projekt pilot për të konkuruar në punë me emra anonimë. Kjo erdhi përherë të parë në 2008 nga “Kaufmännische Verband” – (KV), që nxori në pah se vërtet të huajt kishin më shumë gjasa punësimi në rast se nuk publikoheshin emrat e tyre.
Në 2009, deputetja e partisë pro-emigrantëve Anzita Fetz (SP) kishte parashtruar një mocion në parlamentin helvet për t’ju shmangur diskriminimit në punësimi. Ajo kishte kërkuar që mbiemrat e të huajve të “helvetizonin”, megjithatë kjo kërkesë u abrogua nga parlamenti dhe qeveria. “Më mirë është të synohet ndryshimi i qëndrimit të popullatës zvicerane se sa helvetizimi i mbiemrave të të rinjve me prejardhje të huaj,” ishte qëndrimi i tyre i atëhershëm./Bota sot/