Testimi ekstern numëron ditët e fundit?

Pas fiks një muaji shkollat fillore dhe të mesme duhet të nisin procesin e testimit ekstern të nxënësve, sipas kalendarit të punës së shkollave fillore dhe të mesme për vitin 2016/2017, shkruan gazeta KOHA. Kjo, kuptohet nëse deri atëherë nuk vendoset që të ndërpritet testimi ekstren, i kontestuar edhe ashtu nga të gjitha palët. Mirëpo, parë në këndvështrimin e politikave të reja arsimore që pritet të formohen pas zgjedhjeve të fundit parlamentare në vend, të gjitha paralajmërimet janë që ky proces të mos organizohet në muajin qershor, pasi Qeveria e ardhshme, të cilën pritet ta formojnë lideri i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, do të ketë qasje krejtësisht të reja për sistemin arsimor.

Zaev, që sipas të gjitha gjasave do të jetë mandatari i Qeverisë në formim e sipër, në intervistën e së enjtes për TV 21 në Shkup, konfirmoi edhe një herë qëndrimin kundër testimit ekstern të nxënësve, duke deklaruar se ndërprerja e këtij procesi do të jetë njëra prej objektivave të qeverisjes së tij në 100 ditët e para. Por, pavarësisht kësaj, në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe në Qendrën Shtetërore të Provimeve (QSHP) janë bërë të gjtha parapërgatitjet për organizmin e testimit ekstern 2016/2017. Të premten, në vebfaqen e posaçme, ka nis furnizimi i saj me pyetjet e testimit ekstren, që në total mendohet të jenë rreth 420 000 pyetje për të gjitha lëndët në të cilat deri tani janë testuar nxënësit nga klasa e gjashtë e arsimit fillor deri vitin e parafundit të arsimit të mesëm. Askush në Ministri nuk dëshiron të komentojë rreth kësaj çështje, ndërsa prononcimit i shmangen edhe në QSHP, institucionin që ligjërisht ka për detyrë të zbatojë vendimet dhe politikat që sillen në MASH. Sipas Programin dhe Kalendarit të punës së shkollave fillore dhe të mesme, të njëjtat janë të obliguara që të organizojnë mbajtjen e testimit ekstern të këtij viti, në periudhën nga data 5 deri më 9 qershor. Ndërkaq, sipas Ligjit për arsim fillor dhe të mesëm, një muaj para fillimit të testimit MASH dhe QSHP janë të obliguara të publikojnë pyetjet përkatëse në vebfaqen që është ngritur enkas për këtë punë. Nëse ndodh që eksternia të anulohet, është tjetër gjë dhe nuk ka të bëjë me procesin e publikimit të pyetjeve. E gjithë kjo situatë ka shkaktuar huti në mesin e nxënësve dhe prindërve të tyre, të cilët nuk dinë nëse duhet të llogarisin për mbajtjen e testimit pas një muaji apo të mos përgatiten për një gjë të këtillë.

Sa u përket shkollave, thuajse të gjithë ata të cilët i kontaktuam për këtë qëllim, thonë se do të ishte shumë mirë sikur në Maqedoni t’i jepej fund testimit ekstern të nxënësve me qëllim të notimit të tyre. “Do të ishte jo shumë mirë, por shkëlqyeshëm për profesorët dhe nxënësit nëse ndodh një gjë e tillë”, thotë për KOHA, Bedri Gjureci, drejtor i Shkollës së Mesme në Saraj, të Shkupit. Neve si shkollë, plotëson më tej ai, jemi të përgatitur për të dyja variantet. “Edhe nëse mbahet testimi, edhe nëse nuk mbahet, për ne si shkollë nuk ka problem. Jemi të përgatitur edhe për variantin e organizmit të eksternes. Kemi hapësirën dhe kompjuterët e nevojshëm. Por, nëse nuk mbahet konsiderojmë se do të jetë shumë më mirë, sepse edhe ashtu ka qenë një proces me shumë mangësi dhe defekte për qëllimin caktuar”, shprehet Gjureci. Në këtë mënyrë vlerësojnë të gjithë ata që pohojnë se “vlerësimi ekstern nuk mund të jetë as një vlerësim objektiv i njohurive të nxënësve”. Sepse, nuk ka mundësi që të vlerësosh dijet e nxënësve me një test dhe për një orë, më mirë dhe më objektivisht se sa munda ta bëjë mësimdhënësi gjatë një viti.

In : Aktuale

Loading...
loading...