Tharja e palmave në Maqedoni tregon abuzimin me paratë publike
Në atë që disa e shohin si një simbol të saktë të vështirësive aktuale të Maqedoni, mbi njëqind palma të mbjella në Shkup dy vite më parë – të projektuara t’i sjellin qytetit një ndjesi tropikale – janë tharë nga dimri i acartë. “Kontrolluam të gjitha palmat një nga një dhe fatkeqësisht mund të themi se vetëm 10 për qind, 13 nga 128 pemë, kanë mbijetuar”, tha për BIRN, Dusan Aviroviç, kreu i ndërmarrjes publike të Shkupit që drejton gjelbërimin e qytetit. Ai tha se lloji i veçantë i palmave, të blera nga qeveria dhe të importuara nga Kina, nuk ishin të përshtatshme për klimën kontinentale të Shkupit. Mbulesat me të cilat u mbështollën palmat, sipas tij, nuk ishin të mjaftueshme për t’i mbrojtur ato nga periudha të gjata acari. Palmat në Shkup ishin pjesë e një prokurimi me vlerë gjysmë milionë euro, që synonte të zbukuronte jo vetëm kryeqytetin, por edhe qytete të tjera në të gjithë vendin. Çmimi i lartë i paguar për 1100 palma nga një prej vendeve më të varfra në Evropë tërhoqi kritika dhe tallje.
Prokurimi i pa menduar është bërë sinonim me shpenzimet e paarsyeshme të qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE. Mbjellja e palmave të kushtueshme, por të papërshtatshme, është krahasuar në mënyrë të pashmangshme me riorganizimin shumë të shtrenjtë të kryeqytetit në stilin e antikitetit klasik, projekt i njohur si “Shkupi 2014”. “Që kur na i sollën, palmat ishin gjysmë të vdekura. Na u desh të përdornim lëng fertilizues për t’i mbajtur gjallë. Koha kur i morëm, në gusht, ishte gjithashtu e papërshtatshme. Ishte mrekulli fakti që vetëm katër prej tyre u prishën pas dimrit të parë”, shpjegoi Aviroviç. Agro-meteorologu, Angelko Angeleski, së fundmi i tha Radio MOF se klima e Maqedonisë ishte absolutisht e gabuar për këtë lloj peme. “Klima është fajtorja. Palma është pemë tropikale dhe duhet të mbillet në zona tropikale, aty ku moti është më i butë dhe më i lagësht”, shpjegoi ai. Ai tha se as dimri i ftohtë i Maqedonisë, por as vapa e verës nuk ishin të përshtatshme për këtë lloj peme. Ndërmarrja publike “Pyjet e Maqedonisë”, e cila kreu prokurimin me paratë e qeverisë dhe shpërndau palmat në qytete të ndryshme nuk dha koment të enjten. Ekspertët ndërkohë kanë paralajmëruar se palmat në qytete të tjera kanë filluar gjithashtu të prishen.