Kim Mehmeti: Mos u bëni merak- BDI’ja as mundet as guxon t’i dëmtojë interesat e partive maqedonase!

Nga Kim Mehmeti

Mediat vazhdojnë të raportojnë për kinse revoltën brenda partiake, të nxitur nga propozimi i kryetarit të BDI’së për postet ministrore. Madje flitet për ndërhyrjen vëllazërore të politikanëve, intelektualëve dhe afaristëve me ndikim nga Kosova e Shqipëria, për ta tejkaluar këtë situatë!

Nuk e kuptoj nga i gjithë ky shqetësim kur dihet se gjithçka do përfundojë siç ka vendosur drejtuesi i BDI’së, e cila parti është e organizuar sipas gjitha parimeve mafioze: ku o e pranon atë që ka propozuar ‘kumbara’, o duhet ta braktisësh ‘familjen’. Dhe ku vlerësohet besueshmëria dhe besnikëria ndaj ‘kumbarës’, e jo aftësitë personale dhe përkushtueshmëria ideologjike apo kombëtare.

Dhe vallë është e mundur të gjithë ta kenë harruar se në kongresin e sajë të tretë, BDI-ja solli edhe një risi ‘demokratike’ të përmasave ‘mafioze’: propozoi organin e ri të quajtur ‘Këshilli i të Urtëve’!

Organ si ai që kanë pasur partitë dogmatike, në të cilat Komitetet Qendrore e kanë përcaktuar edhe cili duhet të jetë vullneti politik i popullit, organ si ‘Këshillit Suprem i Ajatollahëve’ në Iran, që qëndron mbi të gjitha institucionet e shtetit?!

Shkurt e shqip: flini të qetë, nuk ka nevojë të shqetësoi për asgjë, sepse as BDI’ja mund t’i mbrojë biznes interesat e drejtuesve të vet pa qenë në pushtet, e as partitë maqedonase mund të gjejnë vasal më të përshtatshëm shqiptarë se këta të kësaj partie!

Andaj për BDI’në nuk është me rëndës ajo që mendojnë e thonë veprimtarët, intelektualët, afaristët e burrështetasit me nam e nishan nga Prishtina e Tirana, por atë që drejtuesve të saj do ua thonë ‘ekspertët’ e qarqeve policore e politike maqedonase, ata me të cilët drejtuesit e kësaj partie i ndërlidh vëllazëri e përjetshme e krimit dhe hajdutërisë!

Dhe jo se intelektualët, afaristët dhe politikanët nga Prishtina e Tirana nuk e dinë këtë, por ata s’ka si mos e përmbushin rolin që u është përcaktuar dhe për çka shpërblehen: ta mbulojnë veprimtarinë parësore të kësaj partie – ideologjinë e patriotizmin që e përcakton thellësia e xhepit!

Andaj pra gjithëve duhet thënë: mos u bëni merak se BDI’ja as mundet e as guxon t’i dëmtojë interesat e partive maqedonase! Dhe të pakënaqurit e të kënaqurit e saj shumë shpjet do ulin kokën e do dorëzohen para të vërtetës se as ata vlejnë gjë pa ‘kumbarën’ e vet, e as ai pa ‘ushtarët’ që i janë besnik, edhe atë jo pse e duan, por pse ai është ‘vlera’ e vetme a tyre individuale! (Kim Mehmeti)

In : Aktuale

Loading...
loading...