Tre persona humbin jetën pasi një i ri përplas makinën në tarracën e një lokali

Tre persona, mes tyre edhe një shtetas smaqedonas me qëndrim të përhershëm në Bullgari, kanë humbur jetën në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin Razgrad të Bullgarisë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 01:36 pas mesnate në rrugën “Grnçarska”, kur një makinë e drejtuar nga një 19-vjeçar ka dalë nga kontrolli dhe është përplasur në tavolinat e një lokali.
Sipas informacioneve të para, viktimat, të moshës 64, 52 dhe 68 vjeç, po qëndronin në tarracën e verës së lokalit, kur automjeti ka hyrë me shpejtësi dhe i ka goditur për vdekje. Shoferi dyshohet se ishte duke tentuar të parakalonte një tjetër automjet, por njëra nga rrotat e makinës ka hyrë në një pellg me ujë, çka ka bërë që ai të humbasë kontrollin.
Prokurori i rrethit të Razgrad ka sqaruar për Radiotelevizionin Kombëtar Bullgar se viktimat u gjendën të bllokuar mes makinës së 19-vjeçarit dhe një automjeti tjetër të parkuar.
Testet fillestare për alkool dhe drogë ndaj shoferit të ri kanë rezultuar negative, por janë marrë mostra gjaku për analiza shtesë. I riu, i cili kishte leje drejtimi vetëm prej një viti, po drejtonte një makinë në pronësi të babait të tij.
Fillimisht ndaj tij është caktuar masa e arrestit për 24 orë, e më pas kjo është zgjatur në 72 orë, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit tragjik.