TRIDHJETË VJET NGA PAJTIMI I GJAQEVE NË VELESHTË-Agim VINCA

Agim Vinca-një shkrim ekskluziv për Strugalajm.com

(Mbi një zakon të popullit tim dhe një episod të jetës sime)

    Nuk besoj të më merret për mburrje nëse them se kam qenë, mbase rastësisht, prijatar i aksionit për pajtimin e gjaqeve në Maqedoni. Opinioni i gjerë mund të mos e dijë këtë, sepse askush, përfshirë edhe veten time, nuk është kujdesur t’ia bëjë me dije, por është e vërtetë safi, si një e një që bëjnë dy. Pajtimet e para të gjaqeve në trojet shqiptare në Maqedoni janë bërë në Veleshtë të Strugës, më 1 e 2 maj të vitit 1990, me një aksion të shpejtë, por shumë të suksesshëm (brenda dy ditëve u falën pesë gjaqe, dy ngatërresa dhe një plagosje), i cili do të vazhdojë edhe më vonë, me një ritëm më të rryeshëm (ngadalshëm).  

Gjaku i parë në Veleshtë u fal në Pilavec, si quhet lagjja e sipërme e Veleshtës, ajo përmbi Përruan që kalon përmes fshatit. Vëllezërit Nexhmi dhe Fitni Hani ia falën gjakun e babait, Shabanit, Ali Lufti Likës. Vrasja kishte ndodhur në vitin 1962 në grindje e sipër. Nexhmiu kishte qenë shoku im i klasës në shkollën fillore dhe ishte dhëndër Vince. E kishte për grua vajzën e një kushëririt tim, gjithashtu në gjak. Falë edhe gatishmërisë së nënës së tyre, vëllezërit Hani nuk na kthyen prapë dhe na inkurajuan për ta vazhduar aksionin e posafilluar.

Ky qe pajtimi i parë. Do të pasojnë: i dyti, i treti e kështu me radhë.

Ata që e kishin filluar sherrin gati gjashtëdhjetë vjet më parë nuk jetonin më, por dy familjet e hasmuara (të dy palët kishin nga një të vrarë) nuk ishin pajtuar. Hasmëria vazhdonte në heshtje. Në Ograde kishin arë njëra pranë tjetrës, ngjitur. Kur dilte njëra palë të lavronte në pranverë, po atë ditë dilte edhe tjetra, si për inat, vit për vit. Dhe, ja, erdhi dita që ia shtrinë dorën e pajtimit njëri-tjetrit Brahim Reçi dhe Burhan Vinca, që kishin mbetur kryefamiljarë, ky i fundit pas vdekjes së babait të tij autoritar, Qemal Vincës, “dates Qemal”. I pari falte gjakun e babait, Avdullait, vrarë më 1931, kurse i dyti të xhaxhait, që po ashtu quhej Avdulla. Ky i fundit qe vrarë për hakmarrje nga familja Reçi në pusi, bashkë me kalin e tij, në vitin 1942, si dhëndër i ri, duke lënë gruan shtatzënë, e cila dy muaj më pas kishte lindur djalë, që ia venë emrin e të atit, Avdulla. Sipas zakonit të lashtë, nënën e kthejnë për të nipin, kështu që Burhani falte gjakun e mixhës, kurse Avdullai (Lai i dytë, si e thërrisnin shkurt) të babës. 

Ngjan si tragjedi antike, por tragjedi kishte shkaktuar gjakmarrja ndër shqiptarë brez pas brezi.  

Kur shkonim për të pajtuar, ne nuk i kujtonim këto, sepse nuk donim t’i ngacmonim plagët, por tani që po shkruaj për këtë çështje, nuk dua të flas vetëm me shifra të thata statistike. As nuk dua të bëj letërsi, por dua ta jap në mënyrë paksa të nuancuar dramën e gjakmarrjes, ashtu siç e kam përjetuar unë gjatë aksionit për pajtimin e gjaqeve në fshatin tim, që, edhe pse nuk i takon Shqipërisë së Veriut, ka jetuar nën diktatin e Kanunit të Lekë Dukagjinit.

Shefqet dhe Nebi Koxhoxhiku, nga një familje e ardhur në Veleshtë nga Koxhoxhiku i Dibrës, që e kishin shtëpinë në qendër të fshatit, falën gjakun e babait, Brahimit. Vrasja kishte ndodhur për punë të vijës së ujit, një vatër e shpeshtë sherrri në Veleshtë dhe në fshatrat përreth. Dorasi, Nazmi Hani, nuk jetonte më, por kishte lënë pas pesë djem, tre prej të cilëve jetonin në Suedi, kurse dy në Veleshtë. Njëri nga djemtë e Nazmiut, Tahiri, student në Prishtinë, kishte rënë në burg. Ishte i burgosur politik dhe vazhdonte ta vuante burgun në Stara Gradishkë, tok me “bacën Adem”, Adem Demaçin, i cili e donte shumë. Nëna e Tahirit, Nazmica, një grua e zonja dhe e fjalës, veleshtare tipike, na uronte ne për veprën që bënim, ne e uronim atë që sa më parë t’i dilte djali nga burgu.  

Ky rast i pajtimit na shkaktoi bukur do telashe si grup, kurse mua si individ një dramë të fuqishme emocionale. Njëri nga vëllezërit, Shefqeti, jetonte në Veleshtë, kurse tjetri, Nebiu, në Strugë dhe duket se ata nuk ishin marrë vesh mirë me njëri-tjetrin për atë që po ndodhte. Shefqeti, Qeti, ishte i qetë, kurse Nebiu, Biu, që sapo kishte arritur nga Struga, e humbi kontrollin dhe e kaploi histeria. Ra në trans. I dilte shkumë nga goja. “Hasmi t’m’dale pi shpie!”  “Hasmi t’m’dale pi shpie!”. Këto ishin të vetmet fjalë që thoshte. Dorasi, si thamë, nuk rronte më, por ai e fajësonte të nipin e tij, Kip Istrefin, që ishte poshtë në konak. Vrasja e babës kishte ndodhur plot 57 vjet më parë, në vitin 1933, kur i biri kishte qenë me siguri fëmijë, por kishte lënë trauma në psikën e tij. M’u deshën shumë përpjekje për ta qetësuar Biun në një dhomë më vete, lart, në katin e dytë, për çka më ndihmoi shumë edhe Xhudeti (juristi Xhevdet Nasufi), i cili e njeh mirë mentalitetin veleshtar. 

Më vonë, kurdo dhe kudo që më shihte në Strugë, zakonisht te Ura e Drinit, në qendër të qytetit, Biu vraponte të më përshëndeste dhe të më përqafonte. “Po ku je, mor xhan!” – më thoshte, ndërsa fytyra i shkëlqente. Tani ajo fytyrë kishte një pamje krejt tjetër nga pamja e asaj dite maji të vitit 1990. Ishte çliruar nga një barrë që e kishte mbajtur në shpirt gjatë tërë jetës. 

    Fejzi dhe Turhan Vinca, djemtë e Sabit Vincës, kushëri i parë tim eti, shtëpi e kamur e mikpritëse, kishin një barrë të rëndë mbi shpinë. Mos të provoftë Zoti, si i thonë një fjale. Ata ia falën gjakun e motrës së tyre, Edibes, familjes Hani. 

Rasti i Dibes, si e thërrisnim ne Vincallarët bijën tonë të martuar në atë familje, ishte pa dyshim nga më të rëndët dhe më të vështirët që kam parë e dëgjuar jo vetëm në Veleshtën time, por edhe në Kosovë e më gjerë. 

Isha student i vitit të parë kur u vra Dibja, në pranverë të vitit 1967. Ishte grua e re dhe e bukur, edhe pse nënë e pesë fëmijëve. Edhe atë ditë, që ishte e fundit në jetën e saj, bënte punët e shtëpisë si çdo ditë: lante, pastronte, gatuante. “Iku me duart me brumë” – thoshin gratë. U grindën babë e bir, Ahmet dhe Adi Hani, ajo hyri ndërmjet t’i ndante dhe e pësoi: u godit me plumb nga i vjehrri, katili, i cili tashmë kishte dalë nga burgu! 

Kur e mora fjalën në konak te kushërinjtë e mi, m’u kujtuan të gjitha këto dhe nuk munda të përmbahem: qava si fëmijë. Njeriut që kisha pranë, i thashë: “Vazhdo ti, Shpëtim!”. Vëllezërit Fejzi dhe Tur Vinca, pasardhës të pishtarit Fejzi Vinca (I parë), e bënë zemrën gur dhe iu bashkuan familjes së madhe të atyre që falën gjaqet edhe atëherë kur nuk ishin për t’u falur. Ndoshta edhe ngaqë një i familjes së tyre ishte në krye të grupit të pajtimtarëve. Ky isha unë që qava në odën plot me burra, për çka nuk më vjen turp aspak. Është njerëzore të qash kur është për të qarë, ashtu siç është burrëri të falësh kur këtë ta kërkon familja e madhe që quhet Komb.

Pajtimi i gjaqeve, i filluar në një katund buzë Drinit të Bardhë, që tani po shtrihej edhe në katundet buzë Drinit të Zi, bëhej për të mirën e kombit, për lirinë dhe ardhmërinë e tij. 

 Për shkak të masivitetit, në Kosovë pajtimi i gjaqeve më shumë se nëpër oda bëhej në ara, livadhe, oborre etj., kurse ne shkëmbenim vizita te të dy palët, pinim kafe, shtrihej dora e pajtimit edhe në njërën edhe në tjetrën familje, sipas traditës së lashtë të pajtimit të gjaqeve.

Vetëm në faljen e gjakut të bijës sonë, Edibes, nuk u shkëmbyem vizita familjare, sepse rasti ishte specifik. Por falja ishte e plotë si gjithë të tjerat.

    Hajredin Sheji ishte burrë i moshuar dhe i nderuar, baba i tre djemve dhe gjysh i shumë nipërve e mbesave. Shtëpia e tij gjendej në afërsi të Stacionit të Policisë, pranë të cilit kalonim ne ato ditë, me frikë se mund të dilnin të na ndalonin në çdo çast dhe, madje, edhe të na merrnin në përgjegjësi. Ditën e dytë të aksionit, plaku i Shehlerëve ia falin plagën e nipit, Abilit, të birit të djalit të tij të madh, Imerit, Zeko Kupës, shkaktuar nga i biri i këtij të fundit, Sevdi belaxhiu, më 1975. Plagosja (me thikë) kishte qenë e rëndë, por fati e kishte shpëtuar të dëmtuarin nga më e keqja. 

 Babai i Sevdiut, Zekoja, u gëzua shumë kur ia dhamë lajmin dhe në oborrin e tij kam dëgjuar për herë të parë të brohoritet për mua si të isha ndonjë funksionar i lartë shtetëror: “Rroftë Agim Vojnca!”, duke e shqiptuar mbiemrin tim ashtu siç shqiptohet në Veleshtë: Vojnca e jo Vinca.

    Çaste pak a shumë të ngjashme kemi përjetuar edhe në pajtimin e ngatërresës ndërmjet djemve të Rasim Qyrës dhe të Sadudin Gjurës, që kishte ndodhur në mes të fshatit dhe në pikë të ditës, në të cilën kishte pasur edhe të shtëna me armë, por edhe në rastet e tjera, jo vetëm në Veleshtë, por edhe në Dobovjan, Tatesh, Misllodezhdë, Belicë, Zagraçan etj.StrugaLajmStrugaLajm

     Si filloi aksioni për pajtimin e gjaqeve në Veleshtë?

    Më 1 maj në Kosovë do të mbahej tubimi i madh te Verrat e Llukës, në të cilin morën pjesë gati gjysmë milioni njerëz. Unë kisha shkuar në vendlindje me idenë që t’i merrja disa nga bashkëfshatarët e mi dhe t’i sillja atje që të frymëzoheshin. Por, kur shkova, pashë se s’kishte nevojë. Atmosfera e krijuar në Kosovë, e cila përmes mediave dhe kontakteve me njerëz kishte arritur edhe në Maqedoni, e kishte bërë të vetën. Ishin krijuar kushtet për t’i hyrë aksionit. Me një fjalë, frutat ishin pjekur dhe prisnin vetëm të këputeshin. 

    Kisha shkuar për vizitë me gruan dhe fëmijët tek miqtë në Ohër. Kur, papritmas, para shtëpisë së vjehrrit tim, Zija Dokos, u ndal një veturë e tipit “Mercedes benz”, nga e cila zbritën dy veta: Fetar Reçi dhe Irfan Vlashi. Kishin marrë vesh që isha aty dhe kishin ardhur të më merrnin me vete për ta filluar aksionin për pajtim dhe për t’i prirë atij. Edhe pse nuk isha në gjendje të mirë shëndetësore (se ç’kisha një trazim në stomak!), u vesha, hipa në makinë dhe shkuam në Veleshtë. Makinën e drejtonte ish-nxënësi im i Gjimnazit, tani mjek, dr. Fetari, kurse Irfani, alias Foni, ish-i burgosur politik dhe aktivist i dalluar, e shoqëronte atë.  

Ishte data 30 prill 1990.

U mblodhëm në shtëpinë e Nazif Zhutës, veleshtarit atdhetar, që gjatë gjithë jetës mbajti në kokë plis të bardhë, të rrumbullakët e jo të rrafshët (portreti i tij shihet në fotografi në konferencat e para për shtyp të Ibrahim Rugovës në Prishtinë, në barakën e Shoqatës së Shkrimtarëve), ku diskutuam “strategjinë” e veprimit. 

Si të vepronim: të fillonim nga rastet më të lehta apo më të rënda? 

Mbizotëroi mendimi që të fillonin nga rastet më të rënda. 

I tillë konsiderohej ai i familjes Reçi, ku Zija Reçi (mixha i Fetarit), kishte vrarë me armë zjarri kushëririn e tij, Rakip (Kip) Reçin. Grup, siç ishim, nga shtëpia e Nazifit, vendosëm të shkojmë në familjen e dëmtuar, ku na priti vëllai i të ndjerit, Safet Reçi. Na refuzoi, në oborr. U munduam ta bindnim me të mirë, por kot. Meqenëse edhe ky mbante plis kosove, si Nazifi, në një çast i thashë, duke menduar se kjo do të bënte efekt: “Për hir të atij plisi që mban në kokë!”, por kot. Ai u shpreh keq: “Unë k’të e hedh në tokë!”, madje edhe më keq se kaq, por nuk dua t’i kujtoj ato fjalë.

(Ndonjë muaj më vonë, në fshatin Misllodezhdë, hasëm në një situatë pak a shumë të njëjtë. Plaku trupimët, Rufon Xhila, nuk na pranoi në shtëpi. Ne kërkonim të hynim brenda e të bisedonim shtruar, por ai nuk bindej. Fol njëri, fol tjetri, kot. Nuk donte të dëgjonte. Përsëriste vazhdimisht fjalët: “Nëse doni bukë, u jap; nëse doni ujë, ene ujë u jap! Për k’të punë s’kini pse vini!”. Ne ikëm nga kishim ardhur, kurse ai vdiq pa e çliruar veten dhe familjen nga një barrë e rëndë). 

U thyem pak, natyrisht, por vendosëm të rifillonim punën që të nesërmen në mëngjes.

    Brenda dy ditësh në Veleshtë u falën pesë gjaqe, një plagosje e rëndë dhe dy ngatërresa.    Në Kosovë aksioni për pajtimin e gjaqeve pat filluar, siç dihet, më 2 shkurt të vitit 1990 në Lumbardh të Deçanit, për t’u përhapur shpejt në tërë Kosovën. Në të qe përfshirë një numër i madh të rinjsh, sidomos studentësh, veprimtarësh e intelektualësh, madje edhe klerikësh. Si shumë intelektualë të tjerë, shkrimtarë, profesorë universiteti etj., qeshë inkuadruar edhe unë në këtë lëvizje të madhe kombëtare e humanitare, e cila kishte për qëllim jo vetëm zhdukjen e një plage të moçme, plagës së gjakmarrjes, që vazhdonte t’i mbante në ankth qindra e mijëra familje shqiptare, por edhe krijimin e një uniteti më të madh shpirtëror në radhët e popullit tonë përballë sfidave të reja të kohës.StrugaLajm

    Në viset shqiptare në Maqedoni aksioni për pajtimin e gjaqeve filloi pikërisht në Veleshtë, më 1 e 2 maj 1990, pastaj u përhap edhe në zonat e tjera, në Tetovë, Gostivar, Dibër, Kërçovë, Kumanovë etj.

    Në atë kapërcyell kohe, që shënonte fundin e një epoke dhe fillimin e një tjetre, shqiptarët e Maqedonisë i kishin sytë nga Kosova. Kosova ishte për ta shëmbëlltyrë. Për veleshtarët e mi gjithsesi, pa asnjë mëdyshje.

    Si çdo përpjekje tjetër  për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve dhe afrimin e tyre me njëri-tjetrin, kuptohet që ky aksion nuk shihej me sy të mirë nga pushteti maqedonas. Aq më shumë që në krye të tij ishte një “nacionalist dhe separatist i përbetuar”, i cili vinte nga “Meka e nacionalizmit shqiptar”, siç e quante shtypi i Shkupit Prishtinën, për të përhapur “virusin shqiptaromadh” edhe ndër “shqiptarët maqedonas”. 

    Edhe pse ishte ditë feste (ende festohej zyrtarisht Një maji) Komiteti Komunal i Lidhjes së Komunistëve të Strugës kishte mbajtur mbledhje urgjente. Ç’është kjo që po ndodh? Ç’qëllime kanë? Kush qëndron prapa tyre? – buçiste salla nga zërat e komitetlinjve “vaka-taka”-s, në mesin e të cilëve nuk mungonte edhe ndonjë lake shqipfolës. Policia ishte në gjendje gatishmërie: pritej vetëm urdhri nga lart. Puna kishte vajtur, siç do të marr vesh më vonë, deri në Shkup. Por kishte filluar shkrirja e akujve. LKM-ja e reformuar, në krye të së cilës tani kishte ardhur një politikan i ri dhe, me gjasë, më pak albanofob se paraardhësit e tij, Petar Goshev, sikur e kishte zbutur tehun e luftës kundër “nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar”. Garnitura e re e politikanëve të Shkupit ishte e vetëdijshme se së shpejti do të detyrohej të dilte në zgjedhje të lira, të cilat nuk mund t’i fitonte pa shqiptarët. Kohët po ndryshonin e me to edhe taktikat dhe politikat.

“Mos i trazoni se është aksion humanitar”, kishte ardhur porosia nga lart. Por njerëzit që merrnin pjesë në tubimet e improvizuara kryesisht në oborret e shtëpive, por edhe në rrugë e sheshe, e kishin ende frikën në palcë. Terrori i viteve ’80 nuk mund të harrohej lehtë! I ngrenin gishtat përpjetë në formë “V”-je, që ishte shenjë identifikuese e Lëvizjes sonë dhe shikonin prapa me frikë. “Tridhjetë ditë prekërshaj”, bënte shaka dikush. “Prekërshaj” në gjuhën “zyrtare” sllavomaqedonase domethënë “kundravajtje”. Një muaj burg për dy gishta përpjetë!

                        *

    Një dhe Dy maji i Vitit 1990 nuk harrohen lehtë. Ato ditë u mbyt frika dhe u ngjall shpresa e krenaria në Veleshtë. Dhe jo vetëm në Veleshtë. Sepse, pajtimi i gjaqeve nuk ishte thjesht pajtim gjaqesh, por shumë më shumë. Ishte manifestim i vullnetit të këtij populli të vuajtur për t’u shprehur lirisht dhe për të jetuar i lirë; pa pranga në gojë e në duar. 

    Unë, rastësisht apo jo, isha në krye të kësaj “lëvizjeje”, por nuk isha vetëm. Me vete kisha shumë shokë e miq, njerëz të mirë e atdhetarë të devotshëm, të cilët më përkrahën e më ndihmuan dhe e vazhduan pastaj punën e filluar. 

Nuk mund të mos kujtohet këtu Nazif Zhuta, në shtëpinë e të cilit u bë takimi i parë i grupit joformal dhe u hartua “strategjia” (më 30 prill); nuk mund të mos kujtohet veprimtari i palodhur Irfan Vlashi, ish-i burgosur politik; nuk mund të mos kujtohen të rinjtë Naser Hani, Kujtim Zhuta etj., nuk mund të mos përmendet Sali Musa, i cili erdhi nga Shtetet e Bashkuara për të falur gjakun e vëllait dhe për t’iu bashkëngjitur aksionit (nga SHBA kishte ardhur ato ditë edhe Surija Qira, arsimtar, i cili, për shkak të përndjekjes, ishte detyruar të mërgonte në Amerikë) e as gjakovari Neshet Nushi, mysafir në Veleshtë, që na u bashkëngjit në ato ditë; nuk mund të mos kujtohen edhe intelektualët e tjerë nga Prishtina si dr. Lutfi Istrefi, dr. Kadri Zhuta, avokati Zaim Istrefi, Ibrahim Zhuta nga Shkupi, Arif Vinca, Shpëtim Pollozhani, Musa Musai, Lazëm Kaba etj. nga Struga, por edhe vëllezërit e mi, Adi e Selami Vinca, nipi im Shpend Vinca, gazetar, i cili e dha i pari lajmin për pajtimin e gjaqeve në Veleshtë në emisionin e atëhershëm të Radio-Zagrebit në gjuhën shqipe dhe në gazetën “Rilindja” etj. (Kërkoj ndjesë nëse dikë e kam harruar ose i kam hyrë në hak pa dashje). 

Në librin Veleshta në histori (botim i vitit 2000) ka një gafë të rëndë lidhur me aksionin për pajtimin e gjaqeve, që nuk e di a është bërë me qëllim apo nga padija. Autori i këtij libri, Z. Qyra, ndër të tjera, shkruan: “partitë politike shqiptare (fjala është për Partinë për Prosperitet Demokratik dhe Partinë Demokratike Popullore – A. V.) ndërmorën aksionin e madh për pajtimin e gjaqeve” (f. 126), gjë që nuk përkon aspak me të vërtetën. Madje është krejt larg mendsh!

Ishte formuar Partia për Prosperitet Demokratik në Shkup e Tetovë, por jo edhe dega e saj në Strugë. Aksioni për pajtimin e gjaqeve në Veleshtë filloi më 30 prill dhe vazhdoi, me intensitet të shtuar, më 1 e 2 maj, duke korrur një sukses të madh, ndërsa dega e PPD-së në Strugë u formua më 6 maj 1990, pra disa ditë pas. 

Filluam 5-6 vetë, shumë-shumë dhjetë-dymbëdhjetë, në start, por përfunduam 50-60, njëqind e më shumë. Rrëkeza e vogël erdhi duke u rritur: u bë lumë.

Natën e fundit, në oborrin e plakut Hajredin Sheji, pas një dite të lodhshme e plot aktivitet, ndërsa po pinim diçka prej në këmbë, m’u afrua Mersim Pollozhani, më vonë kryetar i Degës së PPD-së në Strugë dhe deputet në Kuvendin e Maqedonisë, ma vuri dorën në sup dhe më tha: “Të lumtë! Na ke hapur rrugën për formimin e Degës!”.

Të nesërmen unë udhëtova për në Prishtinë, kurse ata u mblodhën mezi 20-30 vetë në Shtëpinë e Kulturës në Strugë dhe formuan degën e partisë, të PPD-së, fiks tri ditë më vonë. Shkova në postë dhe i urova me telegram për këtë “fitore”. Ndërkaq, partia e dytë shqiptare në Maqedoni, Partia Demokratike Popullore (PDP), nuk kishte dalë ende në skenë (do të formohet më vonë). Mirëpo, kjo s’e pengon autorin e librit Veleshta në histori, kinse historian, që t’ua atribuojë meritën për aksionin e pajtimit të gjaqeve “partive politike shqiptare në Maqedoni”! 

Histori se jo mahi!

*

Me t’u kthyer në Prishtinë, dy ditë pas, më 5 maj, unë mora pjesë dhe fola në tubimin e madh, që u mbajt në Kolovicë të Re afër Prishtinës, ndër tubimet më të mëdha të pajtimit të gjaqeve në Kosovë, pas atij të Verrave të Llukës, të Bubavecit e ndonjë tjetri, në një hapësirë të gjerë, fushë, ku merrnin pjesë me dhjetëra mijëra njerëz, në mos më shumë. 

Ishin studentët ata që kishin kërkuar që në atë tubim të flisja edhe unë. “Hiqni kë të doni, veç profesorin Agim jo!”, kishin thënë. Me disa prej tyre kishim punuar në parapërgatitjen e rasteve dhe sidomos të njërit nga më të rëndët, në familjen Sfishta nga Kodra e Trimave, ku nëna plakë dhe dy djemtë e saj falën gjakun e dy djemve, përkatësisht të dy vëllezërve të vrarë nga e njëjta dorë. Insert nga fjala ime dha RTP-ja në lajmet e orës 19.30, që ndiqeshin shumë në atë kohë, kurse fjala e plotë u botua në shtyp dhe në librin Populli i pandalur

Foli edhe Zekeria Cana, por përfaqësuesi i familjes Sfishta, që ishte mik imi, m’u ankua se kur ishte afruar të përshëndetej me të kishte hetuar se i vinte era raki a konjak. “Ne falim gjakun e më të shtrenjtëve tanë, kurse ai vjen në tubim i pirë”, më tha i njohuri im. Si për ironi, Zeqa, në fjalën e tij (e vetmja fjali që më ka mbetur në kujtesë nga fjala e tij), thoshte: “Rinia jonë heroike, që nuk e njeh drogën as alkoolin!…”. 

Kah fundi i tubimit, doli një burrë, Nazmi Krasniqi më duket se quhej, mjek me profesion, e mori mikrofonin dhe tha shkoqur: “Ne po ia falim gjaqet njëri-tjetrit, por gjakun që na e kanë derdhur Millosheviqi, Kadijeviqi dhe Mamulla nuk do t’ua falim kurrë!”. Krejt çka kishim thënë ne të tjerët, nuk peshonte sa kjo fjali e folësit të paparalajmëruar. Posa zbriti nga bina, e arrestoi policia serbe dhe, duke marrë shkas nga ky rast, i ndaloi tubimet e mëdha të pajtimit të gjaqeve. Në secilin tubim dikush arrestohej ose keqtrajtohej. Mirëpo, me ndërhyrjen e Zagrebit, mjeku defektolog shqiptar, që ishte shtetas i Kroacisë, u lirua pas tri-katër ditësh nga burgu.

*

    Në korrik të vitit 1990, me ftesë të Klubit “Shpresa” nga Nju-Jorku, ne, një grup intelektualësh nga Kosova, patëm shkuar në Amerikë për ta shtrirë edhe atje aksionin e madh të pajtimit të gjaqeve. Ishim rreth 10-12 intelektualë (profesorë, shkrimtarë, juristë etj.) në krye me njeriun i cili qe bërë simbol i kësaj lëvizjeje, Anton Çettën. Në grup bënin pjesë edhe: Mark Krasniqi, Ramiz Kelmendi, Azem Shkreli, Bajram e Nekibe Kelmendi, ish-deputeti Riza Lluka, që kishte votuar kundër ndryshimeve kushtetuese, hoxha i xhamisë së Bubavecit, Xhevat Kryeziu, avokatët Adem Bajri e Mustafë Radoniqi, mjeku Mustafë Ademi (mbizotëronin intelektualët nga Rrafshi i Dukagjinit dhe veçanërisht nga Peja e Rugova). Vizat për në Amerikë i morën në Zagreb e jo në Beograd. Udhëtuam me aeroplan nga Prishtina në Zagreb, ku fjetëm një natë, pastaj nga Zagrebi në Cyrih dhe nga Cyrihu në Nju-Jork. Në Zagreb na u bashkëngjit Simon Kuzhnini. Një kohë grupit tonë iu bashkua edhe kolonel Tomë Berisha, që kishte ardhur veçmas në Amerikë. Pjesëtar i këtij grupi isha edhe unë, i vetmi intelektual me origjinë nga viset shqiptare në Maqedoni.

    Për këtë vizitë kam folur në shkrimin me titull Kosova në Amerikë, shkruar me kërkesën e redaksisë së “Zërit”, menjëherë pas kthimit nga Amerika, që u botua në dy faqe të kësaj reviste, pastaj edhe në librin Populli i pandalur (1992), ku kam evokuar kujtime nga qëndrimi ynë në mesin e bashkatdhetarëve tanë në SHBA, prandaj nuk e shoh të udhës të zgjatem më shumë në këtë rast.

    Më duhet të shtoj, ndërkaq, diçka që rrallë herë është thënë kur flitet për këtë temë, por që mua si njeri e intelektual më ka preokupuar vazhdimisht qysh në fillim.

Kur qeshë inkuadruar në aksionin për pajtimin e gjaqeve në Kosovë, përveç aspektit humanitar, kisha parasysh edhe një rrethanë tjetër me karakter shoqëror e kombëtar. 

Pas marrjes së autonomisë së Kosovës, pas rrënimit të të gjitha institucioneve të saj, pas largimit të rreth 300 mijë punëtorëve nga vendet e tyre të punës dhe pas keqtrajtimeve të përditshme të njerëzve nga policia serbe, e cila pos dajakut nuk na e kursente as plumbin, ç’u mbetej tjetër shqiptarëve pos rebelimit? Serbia kishte hapur front me Slloveninë, me Kroacinë, me Bosnjën. Pritej të hynin në luftë edhe shqiptarët. E në luftë nuk mund të shkonim të hasmuar, apo jo? 

Historikisht shqiptarët janë pajtuar kurdo që i është kanosur rreziku atdheut, ide kjo që artikulohet thjesht, por bukur, në poezinë Portret malësori të hershëm të Kadaresë, në të cilën thuhet: “Mbi tirqet vijë e zezë/ Zbret si e zezë vetëtimë/ Në brez armën e mbushur/ Në kokë të zbrazëtin qefin./ Kështu është shfaqur në vite/ Rrafshnaltave gjer në det./ Në brez vdekjen e tjetrit,/ Në ballë vdekjen e vet./ Kur ndonjë ditë armiku/ Shfaqej diku në kufi/ Kundër tij me të dyja vdekjet/ Nisej ahere ai”.

*

Nuk e kam përmendur fort publikisht deri më sot këtë episod të jetës dhe veprimtarisë sime: pjesëmarrjen në aksionin e madh të pajtimit të gjaqeve. Nuk kam dashur të krijoj kapital prej tij si shumë të tjerë. Janë botuar disa libra për pajtimin e gjaqeve në këto vite. Nuk jam kujdesur që autorët e tyre t’i furnizoj me të dhëna e materiale nga kjo ngjarje. Bile as që kam arritur të shoh mirë se ç’vend i kanë dhënë pajtimit të gjaqeve në Veleshtë, që është bërë si askund tjetër, me vizita reciproke shtëpi më shtëpi të ish-familjeve të hasmuara, të përfaqësuara nga kryefamiljarët e tyre. Dëshmi për këtë janë fotografitë dhe xhirimet (shiritat), që besoj se ruhen diku. I zënë edhe me punë të tjera, më shumë a më pak të rëndësishme, unë nuk kam folur pothuajse fare deri tani për këtë ngjarje. Por duke parë spekulimet që po bëhen në paçavure të ndryshme për historinë tonë më të re, përfshirë edhe aksionin për pajtimin e gjaqeve, vendosa të lë diçka të shkruar. Shpresoj të jetë një dëshmi e autentike, ndonëse jo e plotë, sepse nuk kam arritur t’i përfshij ose i kam lënë jashtë me qëllim jo pak ngjarje, mbresa e kujtime, të cilat mund t’i evokoj mbase në ndonjë rast tjetër në qofshim gjallë e shëndoshë.

(Prishtinë, maj-qershor 2015)

In : Aktuale, Struge

Loading...
loading...