Tullumbacet që u bënë kondomë!


Katundaria e lojalistëve të djeshëm që me çykë të zorit u munduan të na bindin që të kalojmë në shqiptarë qyetar, sot nuk e kanë vendin në “sajfën” e parë të debatit kombëtar për tema të rënda të shqiptarisë

Nga Emin AZEMIStrugaLajm

Në vitet nëntëdhjeta kur u instalua pluralizmi politik në Maqedoni, ishin disa shqipfolës që ishin aktiv në të ashtuquajturën shoqëri civile, motoja e të cilëve ishte “mendo maqedonisht, flit shqip”. Ata ishin të parët që vilnin fondet e të huajve në emër të multikuluralizmit, por erdhi 2001-shi dhe gjithë ai investim ndërkombëtar u rrëzua si kulla rëre.
Personat të cilët ishin përzgjedhur për ta kultivuar multikuluralizmin (lexo vëllazërim-bashkimin), doli të jenë do profitera pa kurrfarë objektivi shoqëror, kurse paratë që ata i morën përfunduan në investime private (në shndërrimin e stallave dhe nevojtoreve të oborrit në oda për miq). Ndonjërin prej tyre tani mund ta gjesh nga mbrëmja në të gdhirë duke “protestuar për stagnimin e çështjes shqiptare në Maqedoni”. Vetëm ata i dinë dobësitë e këtij stagnimi, sepse vetëm ata me disa mentorë maqedonas dhe politikanë “të moderuar” shqiptarë arritën ta vënë në gjumë aksionin politik, duke e zëvendësuar atë me do broçkulla të multikulturalizmit që prodhonte “ shqiptar-qytetar”. Vetëm ata e dinë se cilat ishin pengesat për zhvillimin normal të kulturës dhe identitetit shqiptar, ndaj edhe me multikultralizmin e tyre u munduan fort që kultura dhe identiteti shqiptar të shkrihet në pellgun e madh të maqedonizmit, që ata atëherë i thoshin kosmopolitizëm. Ndonjëri prej tyre, që dje ishte minister, sot na tregon se si duhet udhëhequr politika shqiptare, ndërkohë që ai në vitet nëntëdhjetë ishte në krye të aksionit për privatizimin kriminal të ndërmarrje shtetërore e publike dhë shndërrimin e shqiptarëve argatë të përjetshëm të tajkunave maqedonas. Ata që dje patën mundësi të favorizojnë ndonjë aksionar shqiptarë nëpër këto ndërmarrje, sot na e çajnë trapin duke iu bërë analiza partive shqiptare për llogari të politikanëve maqedonas dhe në interes të nipave të tyre që nesër do të bëhen zëvendësdrejtora të ndërmarrjeve me kapital 100% maqedonas.StrugaLajm

S’ka kuptim me fol shqip nëpër debate, thoshin ata, se kështu i ofendojmë kolegët maqedonas. Qysh atëherë pat lindur nevoja e të menduarit maqedonisht, kurse shqipja përkthehej në laboratorin intern të inferioritetit, duke nxjerrë si nusprodukt një prototip të karikaturës shqiptare të cilin nuk e njihte as nëna e tij.

Pikërisht tipa e tillë sot janë shumë të pakënaqur me statusin e ri të gjuhës shqipe. Atyre po iu përvëlohet shpirti teksa po e shohin gjuhën shqipe “të katandisur në këtë derexhe”. Nga njëri ekstrem, kalohet te tjetri dhe qytetari i ngratë që ndjek mediat e ka zor të dallojë shqiptarin e sinqertë nga shqiptari manipulator. E ka zor ta kuptojë se si është e mundur një mizantrop shqiptar i shoqërisë civile maqedone të viteve nëntëdhjetë, që mendonte maqedonisht para se të guxonte të fliste shqip, tani të bëhet rebeli më i krisur i “çështjes së nëpërkëmbur shqiptare”. Si është e mundur që kaq shpejt njerëzit t’i kaplojë amnezia kolektive dhe të mos arrijnë të dallojnë një kohë të shkuar, kur shqiptari i mirë ishte vetëm ai qytetar lojal që mendonte maqedonisht, që vilte fonde dhe grante nga donatorët ndërkombëtar për përgjumjen e shoqërisë civile me projekte asimiluese dhe, kohën e sotme, kur të njëjtit simulojnë mendimin rebel, pa kokërr morali njerëzor shesin mend për patriotizëm dhe asnjëherë në jetë nuk arritën të çojnë deri në fund një projekt, që do t’ia shihte hajrin shoqëria.
Nëse të njëjtit i shihni duke protestuar për “statusin e mjerë të gjuhës shqipe”, mos harroni të hapni ndonjë kanal të televizionit PINK dhe do të gjeni filma partizan bardh e zi, me ndonjë personazh bythlëpirës shqiptar, teksa mundohet ta flet serbishten me theks të rëndë të katundit prej nga vjen.
Katundaria e lojalistëve të djeshëm që me çykë të zorit u munduan të na bindin që të kalojmë në shqiptarë qytetar, sot nuk e kanë vendin në “sajfën” e parë të debatit kombëtar për tema të rënda të shqiptarisë. Ata duhet lënë pasdere, atje ku zakonisht e kanë vendin bishtdredhurit e stërvitur në beteja lojaliste, me shtiza të vjedhura nëpër hangaret e kauzave në formë tullumbacesh. Mjafton një kujtim i thepisur nga e kaluara për ti shndërruar ((lexo: shpuar) tullumbacet në kondomë të përdorur prej padronëve të rinj. 

In : Aktuale

Loading...
loading...