U hap zyrtarisht Nabizi Retail Park në Strugë

Në një sipërfaqe prej 85.000 metrash katrorë, mbrëmë në Strugë u hap zyrtarisht Nabizi Retail Park – një investim i vëllezërve Kamber dhe Nasuf Bizati.
Qendra e parë tregtare me koncept të hapur në vend përfshin 1.000 vende parkimi, hapësirë logjistike prej 40.000 metrash katrorë dhe është destinacioni më i ri për blerje, argëtim dhe kalim kohe cilësore në Strugë.
Historia e familjes Bizati, siç theksoi Kamber, ka filluar 42 vite më parë me një pastiçeri të vogël, shumë ëndrra dhe mundësi të kufizuara.
– Sot, duke parë se ku kemi arritur, ndjej përgjegjësi të vazhdojmë të krijojmë vlerë, të punësojmë, të investojmë dhe të zhvillojmë rajonin tonë. Nabizi Retail Park është simbol i përgjegjësisë, bashkëpunimit dhe besimit në të ardhmen – u shpreh Kamber Bizati.
Për Nasuf Bizatin, ndërtimi i këtij kompleksi është përpjekje personale për t’i dhënë diçka mbrapsht qytetit, komunitetit dhe të gjithëve që u kanë dhënë besim ndër vite.
– Ne besuam në idenë se edhe në një qytet më të vogël mund të krijohet diçka moderne, cilësore dhe me vlerë. Synuam të ndërtonim një hapësirë funksionale, të bukur, të qasshme – një vend ku qyteti të jetojë, jo vetëm të mbushet – tha Nasuf Bizati.
Retail parku përfshin një pikë karburanti me market, hotel, restorante të ushqimit të shpejtë, kafene, restorant roof-top me kënd për fëmijë dhe lojëra për fëmijë. Gjithashtu janë të vendosura marka ndërkombëtare dhe vendore – supermarkete, brende mode dhe sportive, gjigantë të teknologjisë, kafene, banka, kompani sigurimesh dhe kënde për fëmijë. Projekti parashikon edhe një hotel me 63 dhoma.