U jepet fund taksave të larta nga përmbaruesit

Me urdhrat e ri për pagesë të detyruar të llogarive për rrymë, nxehje, operatorë kabllorë, telefon, mirëmbajtje të hapësirave të përbashkëta në ndërtesë, të cilat janë në shumën deri më 100 euro, përmbaruesit marrin 2, në vend të 14.5 eurove të deritanishme siç ishte me tarifën e mëparshme. Për borxhet prej 100 deri 200 euro tani shpërblimi është 5 euro, ndërsa për shumat mbi 200 euro është 10, për dallim të mbi 20 eurove të mëparshme
Shkup, 17 shkurt – Dy muaj pas hyrjes në fuqi të Ligjit të ri për përmbaruesit, në përdorim hyri edhe tarifa e re e përmbarimit, e cila për disa pagesa është disa herë më e vogël se e mëparshmja, ndërsa për të tjerat mbetet pothuajse e njëjtë. Por, siç shpjegon kryetari i Odës së Përmbaruesve të Maqedonisë, Zoran Dimov, ajo nuk vlen në mënyrë retroaktive, por vetëm për urdhrat e ri, nga e premtja kur hyri në fuqi, e më tej, shkruan gazeta KOHA.
Ashtu, te pagesa e detyrueshme të borxheve të qytetarëve nga rroga përmes firmës ose nga llogaria transakcionale në bankë, përmbaruesit tani marrin dy euro, ndërsa me tarifën e mëparshme – shpërblimi ishte 20 euro. Por, debitorët edhe më tej vet do t`iu paguajnë bankave për bllokim dhe zhbllokim të llogarisë, përveç në rastet kur bëhet fjalë për bllokimin e llogarive prej të cilave nuk lejohet përmbarimi, siç janë personat që pranojnë ndihma sociale.
Me urdhrat e ri për pagesë të detyruar të llogarive për rrymë, nxehje, operatorë kabllorë, telefon, mirëmbajtje të hapësirave të përbashkëta në ndërtesë, të cilat janë në shumën deri më 100 euro, përmbaruesit marrin 2, në vend të 14.5 eurove të deritanishme siç ishte me tarifën e mëparshme. Për borxhet prej 100 deri 200 euro tani shpërblimi është 5 euro, ndërsa për shumat mbi 200 euro është 10, për dallim të mbi 20 eurove të mëparshme.
Te dokumentet përmbarimore për vendime gjyqësore dhe zgjidhjet e shërbimeve dhe ndërmarrjeve shtetërore paguhet 6.5 euro nëse borxhi themelor është deri në 100 euro, ndërsa nëse shuma e borxhit është prej 100 deri 300 euro, atëherë tarifa përmbarimore është 10.5 euro. Kur realizohen shuma më të larta, atëherë kompensimet për përmbarues me tarifën e re mbesin poshtë-lart të njëjta me atë të vjetrën. Për kërkesat deri në 3000 euro, tani shpërblimi është 7.5 për qind nga borxhi themelor, përderisa më parë ishte 8 për qind plus 30 euro për administrim, raporton KOHA.
Njëkohësisht, me tarifën e përmbaruesve, në fuqi hyri edhe tarifa e re e noterëve, e cila ka të bëj me ekzekutimin e borxhit. Sipas tarifës së re, shpërblimi i noterit për lëndët e tilla nuk mund të jetë më i lartë se 500 denarë. Kjo ka të bëj edhe me borxhet mbi 1000 euro, për të cilat sipas mënyrës së vjetër paguheshin 35 euro.
Kjo duhet të jetë një lehtësim i madh për qytetarët, të cilët deri tani për borxh prej 200 denarësh shpesh kanë paguar edhe më shumë se 200 euro. Por, interesat e borxheve të vjetër edhe më tej mbesin të larta, ndërsa këtu janë edhe tarifat e avokatit jo aq të vogla. (koha.mk)