Aktuale

UÇK-ja nuk gjykohet, lironi komandantët tanë

Sheshi “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Tiranë u shndërrua sot në epiqendrën e një proteste mbarëkombëtare, ku mijëra qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare u mblodhën për të kërkuar drejtësi për ish-liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale në Hagë. E thirrur nga veteranët e UÇK-së, kjo protestë ishte e treta në radhë pas atyre të mbajtura në Hagë dhe Prishtinë, duke dëshmuar një mobilizim të jashtëzakonshëm.

Qytetarë nga Vlora, Deçiqi, Presheva, Gjakova, Karadaku, si dhe nga diaspora në Zvicër e Suedi, vërshuan drejt kryeqytetit shqiptar me flamuj kuqezi dhe pankarta, duke brohoritur njëzëri “UÇK”, “Liri për çlirimtarët” dhe emrat e ish-drejtuesve Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Në fjalimet e mbajtura nga organizatorët, u theksua se ky tubim nuk kishte ngjyrime politike, por ishte një “thirrje e ndërgjegjes kombëtare”. Sipas tyre, procesi gjyqësor në Hagë është i padrejtë dhe synon të njollosë luftën e shenjtë të UÇK-së, duke tentuar të barazojë viktimën me agresorin. “Ne nuk po kërkojmë mëshirë, po kërkojmë drejtësi, po kërkojmë barazi para ligjit dhe para historisë,” deklaroi një prej folësve para turmës entuziaste. “Gjykata Speciale ka humbur çdo besim te shqiptarët. Proceset që po mbahen në Hagë janë të njëanshme.”

Ish-liderët e UÇK-së, të cilët ndodhen prej gati pesë vitesh në paraburgim, akuzohen për arrestim të paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, akuza këto të cilat janë hedhur poshtë vazhdimisht nga mbrojtja dhe mbështetësit e tyre. Protestuesit i cilësuan këto akuza si “të fabrikuara” dhe “absurde”.

Një moment i veçantë ishte theksimi i unitetit kombëtar. Folësit përmendën se protestës i ishin bashkuar edhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, me në krye Ali Ahmetin, i cili kishte ndërprerë fushatën elektorale për t’iu bashkuar “fushatës më të madhe, asaj kombëtare për të mbrojtur UÇK-në e lavdishme”. “Ne jemi komb shqiptar, nuk ka komb kosovar. Kemi lindur shqiptarë e do vdesim shqiptarë,” u tha në podium, duke e cilësuar tubimin si një “besëlidhje të re të shqiptarëve”.

Në emër të shoqatës “Tirana”, ish-prefekti Ruzhdi Keçi kujtoi rolin mikpritës të kryeqytetit gjatë luftës së vitit 1999, kur qindra mijëra shqiptarë të Kosovës gjetën strehë. Ai përmendi gjithashtu kontributin e djemve të Tiranës, si dëshmori Skerdilajd Llagami, që iu bashkuan radhëve të UÇK-së. “Drejtësia ndërkombëtare nuk mund t’i mbyllë sytë përballë së vërtetës historike,” tha Keçi. “UÇK-ja nuk ishte organizatë kriminale, por ushtria e një populli të shtypur që luftoi për ekzistencë, dinjitet dhe liri.”

Mes thirrjeve për liri dhe këngëve patriotike si “Marshi i UÇK-së”, protesta përcjellë një mesazh të qartë: lufta e UÇK-së është një kauzë e gjithë kombit shqiptar dhe liderët e saj konsiderohen çlirimtarë, jo kriminelë.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button