Uji në fokus: Qyra zhvillon takim pune me ekspertë, kërkohet analizë e pavarur nga Fakulteti i Ndërtimtarisë

Komuna e Strugës ka intensifikuar hapat për zbardhjen e plotë të situatës lidhur me gjendjen e ujit dhe funksionimin e sistemit të furnizimit.
Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, zhvilloi sot një takim pune me ekspertin profesional nga kompania private e angazhuar, ku u diskutuan në detaje gjendjet aktuale dhe metodologjia e analizave që do të realizohen në terren.
Sipas njoftimit, analizat do të kenë për qëllim përcaktimin e gjendjes faktike të ujit si dhe funksionimin e plotë të sistemit të furnizimit me ujë në territorin e komunës.
Paralelisht, Komuna ka dërguar kërkesë zyrtare pranë Fakulteti i Ndërtimtarisë – Shkup, konkretisht në Katedrën për furnizim me ujë, kanalizim dhe meliorime, për realizimin e një analize të detajuar dhe të pavarur nga një ekip profesional universitar.
Nga Komuna bëhet e ditur se njëkohësisht do të punohet edhe në vlerësimin e dëmit eventual, me qëllim që të përcaktohet shtrirja reale e situatës dhe të definohen masa sistemike të qëndrueshme.
Autoritetet lokale theksojnë se çdo vendim do të merret ekskluzivisht mbi bazën e konstatimeve profesionale dhe analizave zyrtare.
.gif)




























