Ulen tarifat e përmbaruesve
Ndryshimet ligjore pritet t’iu jap fund shumave të mëdha që qytetarët iu paguajnë përmbaruesve në emër të borxheve të mbetura dhe të pa paguara. Në këtë drejtim, qeveria ka formuar grup pune që do të përgatisë ndryshimet ligjore për uljen e çmimores së përmbaruesve.
Nga Oda e Përmbaruesve të Maqedonisë thonë se thonë se në shumicën e lëndëve harxhimet vetëm të përmbaruesve marrin pjesë me një të tretën apo një të katërtën e shumës, që qytetarët në fund e paguajnë si total për shlyerjen e borxheve të ndryshme, ndërsa pjesa tjetër e harxhimeve ka të bëjë me kamatat e ndryshme, si dhe me harxhimet e noterëve, avokatëve etj, shkruan gazeta KOHA.
Nga ekzekutivi i ri kanë paralajmëruar se çdo kush duhet të heq dorë prej diçka, për shkak se qeveria dhe shërbimet, përmbaruesit dhe noterët ekzistojnë dhe punojnë për shkak të qytetarëve, andaj edhe duhet të kenë mirëkuptim për gjendjen e tyre sociale.
Kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi të martën se parashikohet ulja e 42 tarifave ekzistuese të përmbaruesve në dhjetëra tarifa, me çka do të anulohen harxhimet e avokatëve, ndërsa borxhet e ndërmarrjeve komunale do të paguhen nga vetë kompanitë që ofrojnë shërbime të tilla.
“Jam i bindur se do të kemi sukses. Nëse angazhohemi seriozisht do të gjejmë zgjidhje për këto probleme të rënda. Njëherazi nga një pjesë e të ardhurave të tyre do të duhet të heqin dorë si noterët ashtu edhe shteti. Një numër i madh i qytetarëve tanë , kanë probleme bile edhe për borxhet prej viteve 2003-2007, me kamata të mëdha” theksoi të martën kryeministri Zaev, pas mbledhjes së Këshillit Ekonomiko Social.
Për koordinimin e grupit të punës është i angazhuar nënkryetari i qeverisë, dhe ministri i punëve të brendshme Oliver Spasovski, ndërsa në grupin e punës marrin pjesë edhe përfaqësues të ministrive të drejtësisë, financave dhe punës dhe mirëqenies sociale.
Njëherazi, po përgatitet edhe zgjidhje ligjore për anulimin e kamatave për pagesën e borxhit të rrymës për një numër më të madh të qytetarëve.
Nga Oda e Përmbaruesve të Maqedonisë lidhur me ankesat për harxhimet e mëdha që i paguajnë qytetarët për borxhet e ndryshme, thonë se në strukturën e borxhit të fundit nuk hyjnë vetëm harxhimet e përmbaruesve, por edhe të më shumë institucioneve të tjera.
“Harxhimet e ndryshme të përmbarimit, për fat të keq në opinion shpesh interpretohen në mënyrë jo të drejtë, për shkak se qytetarët e dinë se sa kanë borxh dhe shpesh ndodh se kur lënda vjen në përmbarues që borxhi të rritet për dy apo tre herë. Megjithatë kjo nuk është rezultat i harxhimeve të larta të përmbarimit , por vjen si rezultat i ekzistimit të kamatave që janë rritur për disa vite për shkak se ato nuk rrjedhin prej datës kur është sjellë vendimi, por prej ditës kur borxhi ka arritur për pagesë . Gjithashtu lënda përmban edhe harxhimet e ndryshme si ato gjyqësore , të noterit apo edhe avokatëve”, shpjegon strukturën e lartë të harxhimeve që kanë qytetarët për koston e përmbarimit, Gordan Stankoviq, anëtar i Këshillit Drejtues të Odës së Përmbaruesve të Maqedonisë.
Nga Oda e Përmbaruesve thonë se në shumicën e lëndëve, harxhimet vetëm të përmbaruesve marrin pjesë me një të tretën apo një të katërtën që qytetarët në fund e paguajnë si total për shlyerjen e borxheve të ndryshme. Në ndërkohë, analizat tregojnë se borxhlinjtë më të mëdhenj apo 70 për qind e lëndëve janë të qytetarëve për shkak të borxheve të papaguara për ujë , rrymë , ngrohje apo për shërbime komunale. Statistika më tej tregon se afër 29 milion euro janë paguar nga qytetarët, nga firmat janë paguar 66 milion euro, ndërsa nga shteti janë paguar 13 milion euro nga përmbaruesit në emër të borxheve të papaguara.
Nga Organizata Joqeveritare (OJQ) “Njeriu mbi profitin”, thonë se vetëm në fillim të muajit mars, afër 300 mijë qytetarë nuk kanë mundur të marrin rrogën, pensionin, apo ndihmat sociale për shkak se përmbaruesit me vite u kanë bllokuar llogaritë transaksionale duke u marrë edhe denarin e fundit apo çdo denarë që ka qytetari në llogarinë transaksionale.
“Bllokimi i llogarive transaksionale 10 vitet e fundit që po bëhet nga ana e përmbaruesve është e jashtë ligjshme dhe me këtë nuk respektojnë ligjin për përmbarim. Sipas Ligjit për qarkullim pagesor, vetëm një institucion shtetëror mund të miraton vendime për bllokim për qarkullim pagesor, apo Drejtoria për të Hyra Publike (DHP). Kjo do të thotë se përveç DHP-së askush tjetër nuk ka autorizim ligjor të bëjnë veprime për pagesë me dhunë të borxheve. Ligji për përmbarim saktëson se përmbaruesi ka të drejtë të dorëzojë kërkesë për pagesë me dhunë deri të bartësi për qarkullim pagesor, por jo edhe të merr vendim dhe të kërkoj nga bankat që të bllokon llogarinë transaksionale të qytetarëve,dhe këtë kërkesë duhet ta bëjë deri te DHP-ja e jo te bankat” thotë Ana Gligorova, nga Organizata Joqeveritare (OJQ) “Njeriu mbi profitin”.