AktualeKulturë

Vahit Nasufi, shkrimtari që i dha zë Veleshtës dhe Strugës në letrat shqipe, vjen me romanin e ri “Fundi i trishtë”



Strugë – Një nga emrat unik që ka nxjerrë Struga në fushën e letërsisë, Vahit Nasufi, vjen para lexuesve me romanin e tij më të ri “Fundi i trishtë” , Volumi i dytë. Autori, i njohur për një krijimtari të pasur poetike me shumë botime ndër vite, tashmë po konsolidon gjithnjë e më shumë praninë e tij edhe në prozën e gjatë.
Pas romanit të parë “Udhëtim në labirint” , i cili u vlerësua nga lexuesit dhe kritika letrare, Nasufi vjen me një tjetër vepër që depërton thellë në botën shpirtërore të njeriut, duke trajtuar tema universale si mërgimi, dashuria, identiteti dhe lidhja e pashkëputshme me vendlindjen.
Për romanin “Fundi i trishtë” ka shkruar një vështrim edhe shkrimtari Bujar Balliu, i cili thekson se vepra ndërtohet mbi një rrëfim emocional e poetik, ku përjetimet dhe ndjesitë shpirtërore marrin formë përmes një gjuhe artistike të pasur dhe simbolike.
Nga dashuria për vendlindjen dhe identitetin, krijimtaria e Vahit Nasufit është e lidhur ngushtë me rrënjët e tij. Autori mbetet një zë i përkushtuar që e do dhe e bart në çdo faqe vendlindjen e tij Veleshtën, Strugën dhe tokën shqiptare, të cilat përbëjnë frymëzimin kryesor të veprës së tij letrare.
Me një krijimtari të pasur në poezi dhe tashmë me botimin e dytë në prozë, Vahit Nasufi vazhdon të dëshmojë pjekuri artistike dhe përkushtim ndaj letërsisë, duke sjellë një prurje të re dhe me vlera në letrat shqipe në Macedoninë e Veriut.(StrugaLajm.com)


Për romanin “Fundi i trishtë” të Vahit Nasufit
Ka libra që mbajnë ndezur kureshtjen me rrjedhën e ngjarjeve, me fjalën e zgjedhur dhe figurat letrare; të tjerë me të papriturat në shtjellimin e mendimit, të personazheve apo të mjediseve. Romani “Fundi i trishtë” i autorit veleshtar Vahit Nasufi derdhet në shtratin origjinal të përjetimeve sa emocionale, aq edhe poetike. Rrëfimi rrjedh si një mërmërimë burimi poshtë petaleve të luleve të lëndinës.
Atë mund ta përkufizojmë si roman “pa veprim”, në kuptimin që ngjarjet nuk ndjekin apo përcaktojnë njëra-tjetrën; ato japin vorbullën e ndjenjave, përjetimin e gjendjeve dhe marrëdhëniet shpirtërore të qenies së trullosur mendërisht. Edhe personazhet kalojnë nëpër filtrin e subjektivitetit të tij.
Mërgimi, personazhi qendror i romanit, përveç dramës që i përcjell emri i plotësuar me mërgimin real në qytetet e Zvicrës, kalon kalvarin e vuajtjeve të dashurisë për Kristinën, dhimbjen për vajzën Nazmije dhe përkushtimin e plotë ndaj Atdheut. Forca krijuese mbështetet te rrafshet kuptimore, shpesh simbolike, që përfitohen nga tërësia e kuptimit të fjalës dhe ndërtimet elokuente sintaksore.
Sipas Robert Barthes-it, “…fjala është qendra rrezatuese e kuptimit”. Fjala “Atdhe” në roman përdoret si emër i përveçëm i djalit të personazhit kryesor, por në strukturën kuptimore të tekstit ajo ekuivalentohet në shtresa me elemente të ndryshme.
Mërgim Shkreta ka ndërtuar marrëdhënie të ngushta me djalin e tij të vetëm, lindur nga dashuria me zviceranen Kristina, me të cilën as nuk janë martuar, as nuk janë divorcuar; nuk jetojnë bashkë, por duhen çmendurisht.
“Atdheu kishte mbuluar fytyrën e tij të bukur me dy duart e njoma. Ëndërronte dhe vuante në mënyrën e vet. Sa e trishtë kjo gjë. Mua më rrëqethej trupi. Koka më vlonte. Në këtë çast ndjeva nevojë të flisnim bashkë për ca gjëra të cilat duhet dhe nuk duhet t’i dinte ai.”
Autori nuk ngelet vetëm këtu. Më tej fjala “Atdhe” përdoret me një tjetër kuptim të përcaktuar qartë.
— Pse vetëm Atdheun? – do ta pyeste ajo.
— Sepse e dua më shumë se çdo gjë në jetë. Ai është frymëmarrje. Oksigjen. Jetë. Bukuri. Forcë. Shpresë dhe dashuri.
— Ke të drejtë.
— Ah, Atdheu! – psherëtiu thellë me shpirt. – Ç’të bësh, ia kthyem shpinën dhe ikëm nga sytë këmbët…
Duke shfrytëzuar funksionin polisemantik të fjalës, ndërtohen situata sa poetike aq edhe përgjithësuese.
“Bleta i tha zogut:
— Vdes për lulet!
— Unë vdes për Atdheun!”
Për rrjedhojë, marrëdhëniet mes përdorimit në kuptimin e parë me ata të mëpastajmit na bëjnë të perceptojmë të gjitha kuptimet të përbashkuara. Me këtë teknikë krijohen një sërë analogjish që e shndërrojnë ligjërimin në gjuhë artistike. Autori konfirmon letërsinë e tij të angazhuar në problematikën kombëtare.
Më tej, Vahit Nasufi nuk sjell vetëm përçartjet mendore dhe abstragimet emocionale të Mërgim Shkretës, goditur nga malli për vendlindjen, mrekullinë se i biri po shfleton Abetaren me 36 margaritarët që ngrenë gjuhën shqipe, dhimbjen e humbjes së identitetit në udhët e mërgimit dhe tjetërsimin e “intelektualëve” si Gano sociologu, por ruan edhe fillin e Ariadnës: vargjet që kanë buruar nga vendlindja e kthejnë përsëri atje, kudo që ndodhet.
“Ndal, i them valës. Ajo ikën dhe qesh me mua.”
Shumica e dialogëve zhvillohen mes personazhit kryesor dhe një zëri të zhytur në mjegull apo errësirë; ai zë herë është hëna, herë Ajo, e herë vetja e tij e dytë. Replikat e bëjnë Mërgim Shkretën të dyzuar, pasi shpesh nuk di me kë dialogon. Këto pasazhe i japin romanit ngjyrë mistike, por edhe dinamizëm të brendshëm. Teksti nuk ngarkohet me shpjegime autoriale. Si në një dramë absurde, dialogu imagjinar mbizotëron atmosferën.
— A ke syze? – më pyeti pastaj.
— Kam pasur dikur.
— Tani ku i ke?
— I hodha nga dritarja!
— Pse?
— U qorruan edhe ata!
— Dhe?
— S’më duhen.
— E si ta gjesh atë që kërkon?
Nuk i ktheva përgjigje pyetjes që më bëri. Fola pa folur. Mbase e kuptoi heshtjen time.
Ajo më shikonte çuditshëm dhe me shumë kureshtje. Linte përshtypjen sikur dinte çdo gjë, por nuk ma thoshte.
Dikur u lodha. U ndamë pa fjalë. Ajo në vendin e saj. Unë mbeta në dritare.
Duke bartur edhe shqetësimet e autorit, personazhi qendror i romanit, që në fillim, kujdeset të fiksojë shumëçka nga vendlindja dhe ta marrë me vete nga frika se mos e humbë e bashkë me të të zbehet edhe vetë. Më tej trishtimi, si një vel i lehtë mjegulle, shtrihet faqe pas faqeje për t’u bërë peshë e rëndë si guri i Sizifit dhe përcakton fundin e trishtë në volumin e dytë.
Përcjellja e procesit psikologjik jo normal të Mërgim Shkretës kërkon depërtimin në elemente specifike të të menduarit. Autori shfrytëzon gjetje letrare që i imponohen kujtesës dhe mbajnë të lidhura shqetësimet e personazhit qendror. Frika e humbjes së pasurisë mendore, trashëguar nga vendlindja, ia lë vendin frikës së humbjes së identitetit: të vetes, familjes dhe shokëve.
Liria si dëshirë për të njohur botën dhe për të shijuar frytet e saj grimcohet në thërrmija përshtypjesh, ndjesish e imazhesh, shpesh të ngatërruara e të trazuara. Ato, të bashkuara në vargje poetike, vijnë me jehona të vendlindjes dhe më pas shndërrohen në klithmën ekzistenciale të qenies.
Mërgim Shkreta mbetet plaga e hapur në shpinë të udhëve; Atdheu, himni që mban gjallë shpresën; Kristina, dashuria e munguar; Gano sociologu, zvetënimi prej dijes së mangët; Nazmija, vajza me emrin e nënës, humbet diku në mjegullat e qytetit.
Pak, shumë pak janë personazhet e romanit, por kanë fytyrë tejet origjinale dhe janë të mjaftueshëm për të dhënë botën e tyre të ravijëzuar me penelata të ndezura.
Romani depërton në problematikën gjithëkohore të individit të detyruar të lërë vendlindjen dhe që e gërryen meraku i ruajtjes së vlerave identitare.
Pas shumë vëllimeve poetike për të rritur e fëmijë, Vahit Nasufi hedh hapin e sigurt në prozën e gjatë, tashmë me romanin e tij të dytë, që vjen para lexuesit gjashtë vjet pas romanit të parë “Udhëtim në labirint”, i vlerësuar nga lexuesit dhe kritika letrare.
Romani i ri është një prurje interesante në letrat shqipe të Maqedonisë së Veriut.
Bujar Balliu, shkrimtar.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button