Shkup, 24 mars- Stojçe Hristovski, babai i vajzës së ndjerë pesëvjeçare nga Kravari i Manastirit, e cila dje në Spitalin Klinik në Manastir pas infuzionit ndërroi jetë, për “Makfax” ka përshkruar në detaje momentet e fundit me të bijën. Ndonëse i pushtuar nga pikëllimi thotë se po flet që të mos ketë raste të tjera si të tyre.
Ai dhe gruaja e tij janë të bindur se infuzioni i glukozës që i dhanë pasi e sollën në spital ishte vendimtar për Janën e tyre, pavarësisht se analiza e gjakut tregoi se sheqeri i saj ishte nëntë.
“Për dy orë kanë mbaruar punën në spital, kaq. Tani do t’ju tregoj nga fillimi. Ne donim ta çonim te mjeku i familjes, doktori i saj, por ajo ishte pasdite, pas orës dy. Na mori në telefon dhe na tha ta çonim Janën në spital, që të mos priste deri pasdite. Dy ditë më parë, në fakt tre ditë më parë, nuk e di saktësisht, ajo bëri dush me vëllain e saj, u lanë dhe ajo u ftoh pak. Ditën tjetër temperatura iu rrit por asgjë, 37 me 7-8. I dhamë shurup, temperatura ra. Fjeti në mbrëmje, nuk kishte asnjë problem, nuk kishte temperaturë, asgjë. Të nesërmen, pas drekës, u shfaq ënjtje pranë syve, sipër dhe ajo ankohej për thonjtë. Thonte – më dhembin thonjtë dhe muskujt”, thotë babai Hristovski.