AktualeOpinion

Veleshta ka parë mjaft!


Meqë tashmë politika ka nisur aktivitetin për zgjedhjet lokale, energjia negative e përçarjes dhe linçimit po afron sërish mes qytetarëve strugan. Prandaj si prind, si profesor, intelektual dhe qytetar, shfrytëzoj rastin të bëj një apel.
Mjaft ndarje mes nesh. Mjaft urrejtje dhe zhgënjim. Mjaft largime të të rinjve që s’e panë më të ardhmen këtu.
Është koha të ndalemi. Nuk kemi më luksin të humbasim kohë në përçarje, në sharje, në betejat boshe që nuk sjellin as zhvillim, as mirësi.

Ky është momenti që të ngjallemi si qytet, si shoqëri. Të rikthejmë shpresën, besimin dhe dashurinë për njëri-tjetrin.
Vetëm së bashku, si qytetarë të barabartë, me një dëshirë dhe një qëllim: për Veleshtën tonë, për shtëpinë tonë.

Zgjedhjet lokale duhet të jenë një përballje paqësore idesh dhe projektesh – një mundësi që qytetarët të vlerësojnë të lirë, me mendje të hapur dhe me zemër të qetë.

Mos lejoni që urrejtja të mbjellë përçarje mes nesh. Nesër, pas zgjedhjeve, Veleshta do të jetë sërish e gjithëve edhe e atyre që fitojnë, edhe e atyre që humbin.
Ajrin e thithim të gjithë njësoj, pa marrë parasysh partive. Ujin e pijmë nga i njëjti burim. Hallet dhe gëzimet i ndajmë bashkë si njerëz, si komshi, si Veleshtar.

Le ta ruajmë Veleshtën, le ta nderojmë njëri-tjetrin. Le të fitojë bashkimi, le të fitojë ideja më e mirë. Për një Veleshtë që ringrihet dhe ecën përpara. Për një të ardhme që na përket të gjithëve. Pleurat Hani
Profesor i Ed. Fizike

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button