
Veleshtës nis projekte për pastrim, infrastrukturë dhe rregullim të hapësirave publike – apel për mbështetje nga qytetarët dhe diaspora
Veleshtë, Strugë – Bashkësia Lokale e Veleshtës ka bërë të ditur se në periudhën në vijim do të nisë realizimi i një sërë projektesh me rëndësi për përmirësimin e kushteve të jetesës në fshat. Sipas njoftimit zyrtar, në fokus do të jenë pastrimi i rrugëve dhe kanaleve, mirëmbajtja e pastërtisë, vendosja e sinjalistikës rrugore dhe mbrojtëseve, ndërtimi i parkingut dhe i tualetit publik, si dhe vendosja e kontejnerëve për mbeturina.
Nga Bashkësia Lokale bëjnë me dije se këto ndërhyrje synojnë rregullimin e hapësirave publike, rritjen e sigurisë në komunikacion dhe përmirësimin e ambientit jetësor për banorët e Veleshtës.
Njëkohësisht, Bashkësia Lokale u ka bërë apel qytetarëve, bizneseve vendore dhe bashkëvendësve nga diaspora që, sipas mundësive, të kontribuojnë materialisht apo në forma të tjera, me qëllim që projektet të realizohen sa më shpejt dhe me cilësi.
“Çdo kontribut është i vlefshëm dhe ndihmon drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të jetesës në Veleshtë”, thuhet në thirrjen publike, duke nënvizuar se bashkëpunimi i komunitetit është kyç për zhvillimin e fshatit.
Në fund të njoftimit, Bashkësia Lokale dërgon mesazhin se vetëm përmes angazhimit të përbashkët mund të ndërtohet “një Veleshtë më e pastër, më e rregullt dhe më e zhvilluar”.






























